Pas një debati disa orësh, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Buxhetin për vitin 2016.
Për këtë projektligj pro votuan 65 deputetë, 2 ishin kundër e një abstenoi.
Arsyetimin e amendamenteve e ka paraqitur kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa , Naser Osmani.
“Ndryshimet e reja në buxhet për organizata buxhetore janë 1 259 000 euro, si dhe disa transfere brenda të njëjtës organizatë buxhetore (tek Kuvendi dhe Komuna e Leposaviqit)”, ka sqaruar ai.
Është propozuar të ndahen mjete shtesë për Kuvendin për shkak të nevojave dhe aktiviteteve që priten në vazhdim. Janë ndarë mjete për Ministrinë e Integrimeve Evropiane dhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, ka sqaruar Osmani, duke i ftuar deputetët e veçantë që kanë propozuar amendamente (Xhevahire Izmaku dhe Bekim Haxhiu, Emilia Rexhepi dhe Qerim Bajrami) që t’i tërheqin ato, duke pohuar se ato janë mishëruar në amendamentet e propozuara nga komisioni.
Ai ka përmendur faktin që në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është ndarë buxhet për renovimin e stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë me qëllim të plotësimit të kushteve të stadiumit sipas kritereve të FIFA-së me rastin e garave kualifikuese që do të zhvillojë kombëtarja e Kosovës.
“Është ndarë buxhet për Zyrën e Presidentit në mallra dhe shërbime, ndërkaq amendamenti për Komunën e Leposaviqit është rregullim brenda investimeve kapitale të komunës”, ka pohuar Osmani.
Debatin më të gjerë në këtë seancë e ka shkaktuar ndarja e buxhetit prej 300,000 euro për pagesën e specialistëve të shëndetësisë, nëse ishte e drejtë kjo dhe nëse duheshin të përfshiheshin edhe specializantët, si dhe ekspertët e tjerë shëndetësorë të papunë.
Sqarime rreth gjendjes në shëndetësi dhe sidomos për pozitën e specialisteve të papunë dhe të specialistëve, ka dhënë ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahman, si dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci; ai i Arsimit, Arsim Bajrami; dhe zv.kryeministri Kujtim Shala.
Kadri Veseli, ndërkaq, në cilësinë e deputetit është shprehur se mjekët duhen trajtuar me dinjitet. Ai është shprehur i brengosur për mjetet e shumta financiare që derdhen në Maqedoni e në vende të tjera të rajonit për trajtim shëndetësor të qytetarëve të Kosovës, ndërkohë që është investuar fare pak në profesionalizimin e shëndetësisë në Kosovë.
Me gjithë vërejtjet e shumta të deputetëve për ndryshimet dhe plotësimet buxhetore,deputetët me shumicë votash kanë miratuar këtë projektligj.
Ratifikohet Huaja e KfW-së për “Masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike”
Në seancën e sotme të Kuvendit, të drejtuar nga Kadri Veseli, deputetët miratuan dhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet KfW Frankfurt am Main dhe Qeverisë së Kosovës për Programin “Masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat publike në nivel komunal në Kosovë”.
Porsa ka filluar seanca, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka kërkuar qe në rend dite të futet miratimi i këtij projektligji, të cilin e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm për vendin.
Këtë propozim e kanë mbështetur edhe shefat e grupeve të tjera parlamentare, kurse deputetët kanë votuar për shmangie nga Rregullorja e Kuvendit. Arsyetimin për këtë projektligj e ka dhënë ministri i Financave, Abdullah Hoti, i cili pohoi se nga kjo marrëveshje përfitohen 2.5 milionë euro, me kamata shumë të volitshme dhe në një afat shlyerje të prej 12 vjetësh.
Raportin me rekomandime të komisionit funksional, ndërkaq e ka prezantuar kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, i cili ka ftuar deputetët që ta miratojnë këtë marrëveshje. Nga 91 deputetë të pranishëm në sallë “për”kanë votuar 87 deputetë, një ka qenë kundër, kurse një ka abstenuar. Deputeti që e ka deklaruar publikisht votën e tij “kundër”ka qenë Nait Hasani, i cili ka qenë i pakënaqur që nga kjo marrëveshje përfitojnë Prishtina, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj, por jo edhe qyteti i Prizrenit, të cilin e ka quajtur qendër të trashëgimisë kulturore.
Në vazhdim të seancës është miratuar ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për financat e pushtetit lokal, të cilin para deputetëve e paraqiti kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani.
Pas kësaj, deputetët kanë shqyrtuar Raportin vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2015, të cilin e paraqiti guvernatori Bedri Hamza.