Misioni vëzhgues nga Bashkimi Evropian (BE) i zgjedhjeve në Kosovë, në një konference për medie, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit janë shumë sfiduese dhe këto zgjedhje i shohin si një mundësi e mirë për të demonstruar pjekurinë demokratike, raporton Ekonomia Online.
Sa i përket përcjelljes së zgjedhjeve në veri, shefi i Misionit Vëzhgues nga BE-ja i zgjedhjeve në Kosovë, Alojz Peterle, ka thënë se misioni që ai udhëheq zbaton të njëjtën metodologji kudo që angazhohet.
Ai ka bërë të ditur se ky mision do të përcjellë procesin zgjedhor në një çerekun e vendvotimeve, me gjithsej 100 vëzhgues që do të dalin në terren.
Peterle ka thënë se kanë marrë ftesë nga presidenti Thaçi për vëzhguesit e zgjedhjeve dhe se kjo është hera e tretë që BE-ja ka dërguar vëzhgues për zgjedhje në Kosovë.
“Numri i vëzhguesve ka për qëllim të përcjellim procesin zgjedhor e një çerek të vendvotimeve dhe kjo është një mostër e mirë për të nxjerr përfundime. Ne kemi vëzhgues afatgjatë me njohuri të mira… Siç e theksova, ne kemi për qëllim të përcjellim procesin zgjedhor dhe po ashtu ne përdorim një metodologji publike dhe kriteret kyçe për të qenit të paanshëm. Kurse sa i përket pjesës veriore do të përdorin metodologjinë e njëjtë sikurse edhe në vendet e tjera”, ka thënë ai.
“Që nga arritja në Kosovë jemi takuar me KQZ-në, me KPM-në dhe me përfaqësues të medieve, por edhe me organizata të shoqërisë civile, sidomos me ato që janë duke bërë vëzhgimin e këtyre. Jemi duke angazhuar me 100 vëzhgues, do të jemi vëzhguesit më të mëdhenj në Kosovë që kanë ardhur nga BE-ja. Ne nuk jemi gjyqtar, por do të jemi ata që shohim parregullsitë, të cilat do të mund të ndodhin. Ky ushtrim ka të bëjë më atë që të sigurohen që të gjithë votuesit me të drejtë vote në Kosovë. Vëzhguesit tanë nuk do të ndërhyjnë në proces dhe do të respektojnë Ligjin për Zgjedhje. Unë jam i vetëdijshëm për vështirësitë që i ka KQZ-ja”, ka thënë ai.
Peterle ka shtuar se misioni i vëzhguesve të BE-së do të përcjellin procesin zgjedhor në të gjithë hapat dhe më pas do të dalë me një raport preliminar më 13 qershor, pra dy ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve.