Ndihmës-sekretari i Shtetit të ShBA-së për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, në aeroportin “Adem Jashari”, ka folur për pakon prej katër pikave që ShBA është folur se do t’i dorëzojë Serbisë për Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Dje mediet serbe kanë raportuar se kjo pako përmban këto pika: 1. Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe të ketë kompetenca ekzekutive; 2. Ky asociacion të jetë i lidhur me institucionet e Kosovës për një zëvendëskryeministri që do të jetë nga komuniteti serb; 3. Serbia ta lejojë Kosovën që të anëtarësohet nëpër organizata ndërkombëtare dhe 4. Në këmbim të kësaj Serbisë t’i hapet dera për në BE dhe që të ketë përkrahje nga ShBA në arenën ndërkombëtare në fushat si ekonomia dhe politika”.
Por këto raportime ai i ka quajtur spekulime, duke shtuar se nuk ka ardhur në Ballkan të paraqes një plan konkret, por që ka kërkuar nga Kosova e Serbia të vazhdojnë dialogun që u mundëson anëtarësimin në BE.
“I kam parë këto spekulime, mund të ju them që nuk kam ardhur që të shpreh një plan specifik, por unë kam ardhur për t’i dhënë shtysë dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, tha Mitchell.
Mitchell ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të bëjë përparim në dialogun me Serbinë, duke tejkaluar sfidat rajonale në dobi të stabilitetit dhe integrimit perëndimor dhe duhet t’i japë epilog marrëveshjes së demarkacionit.
“Kosova duhet të bëjë hapa të rëndësishëm për ta siguruar rrugën e vet drejt të ardhmes. Duhet që Kosova të jetë e angazhuar në dialogun me Serbinë. Kemi folur edhe për demarkacionin, dhe kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë që t’i hapet rruga liberalizimit të vizave”, shtoi ai.
Ai gjithashtu tha se duhet bërë punë në forcimin e sundimit të ligjit, foli edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
“Kemi folur edhe për çështjen e sigurisë dhe i kam siguruar presidentit se askush nuk do të vë veto në çështjen e sigurisë. Amerika e ka mbështetuar nga afër transformimin e FSK-së dhe do ta mbështesë në të gjitha nivelet. Në Beograd e dinë pozicionin e SHBA-së për këtë çështje”, tha Mitchell.
Mitchell ka garantuar se ShBA vitin e ardhshëm do të ketë një rol edhe më aktiv në Kosovë.
“Ishte me rëndësi që në udhëtimin tim të parë, ta filloj në Kosovë. Kosova ka marrëdhënie të mirë e të thellë me SHBA-në e kjo do të thellohet edhe tutje. ShBA janë për një Kosovë demokratike. Dëshiroj t’ju them se vitin e ardhshëm do të kemi një rol edhe më aktiv”.
Presidenti Hashim Thaçi i garantoi amerikanit se Kosova është e përkushtuar që të vazhdoj dialogun me Serbinë në shërbim të stabilitetit në rajon.
Mitchell do të takohet edhe me kryeministrin Ramush Haradinaj, kurse nesër udhëheqësit e rinj.