Edhe pse jemi mësuar që Kina të jetë shteti ku njerëzit ecin me maska në fytyrë për t’u mbrojtur nga ajri i ndotur, për këtë nuk po ia lëshon udhën as Kosova. Madje mbrëmë (8 dhjetor), Kosova është renditur në vendin e parë në botë sa i përket ndotjes. E mjekët kosovarë janë duke alarmuar mbi rrezikshmërinë e kësaj. Sipas tyre, qytetarët rrezikohen ta marrin kancerin e shumë sëmundje të tjera prej kësaj ndotjeje.
Kosovarët tash e një javë po ballafaqohen me ndotje ekstreme të ajrit, duke tejkaluar kështu 300 herë mesataren e ndotjes së lejuar. Kjo sipas të dhënave të Ambasadës Amerikane ku thuhet se vlerat e PM2.5 janë disa herë jashtë normales dhe sot më 8 janar 2018 ka arritur vlerat maksimale 360 AQI.
E disa vende në Kosovë që dy ditë janë të mbuluara nga mjegulla. Ndotja dhe krijimi i kësaj pamjeje, vjen nga faktorë të ndryshëm si termocentralet, djegia e thëngjillit për ngrohje, e automjetet. E kjo është duke i alarmuar mjekët kosovarë. Kjo ngase kjo ndotje mund të sjellë disa sëmundje në organizmin e njeriut.
Gazeta Express, për këtë punë të martën ka biseduar me mjekun e QKUK-së, Skënder Bacën i cili është specialist pulmolog-specialist i sëmundjeve të mushkërive. Sipas tij, kjo ndotje paraqet rrezikshmëri tek qytetarët e vendit.
“Sëmundjet që mund t’i sjellë ndotja e ajrit në Kosovë janë asma bronkiale dhe kanceri bronkial i cili ka lidhshmëri të drejtpërdrejtë me duhanin dhe ndotjen e ambientit”, thotë doktori.
Tutje ai shpjegon se cilat janë shtresat më të rrezikuara nga kjo ndotje.
“Kjo ndotje e ajrit ndikon në eksacerbimin, përkeqësimin, ripërtëritjen e episodeve të sëmundjet kronike ebstroktive që ndryshe quhet bronhiti kronik. Mirëpo fatkeqësia jonë është që popullata pi shumë duhan dhe përkeqësohet gjendja edhe me ndotjen e ajrit. Për shembull një pacient që pi duhan dhe i nënshtrohet kësaj ndotje kalon shumë më vështirë”, shpjegon ai.
Sipas tij në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK gjatë vitit të kaluar janë diagnostifikuar rreth 300 pacientë të rinj më sëmundje kronike obstruktive. Ai thotë se deri te kjo ka ardhë si pasojë e industrisë së rëndë që aplikohet në Kosovë. Por megjithëkëtë, mjeku Skënder Baca thotë se Kosova në të kaluarën ka pasur ndotje edhe më të mëdha të ajrit.
“Vendet që kanë industri të rëndë, ato janë më të rrezikuarat. Ne më përpara kemi pas më shumë ndotje të ajrit se tash. Kanë qenë industritë e mëdha, fabrikat që kanë shkaktuar ndotje të ajrit. Mirëpo tash punon veç Feronikeli dhe Obiliqi prej këtyre ndotësve të mëdhenj”.
Për cilësinë e ajrit në Kosovë sot gjatë ditës ka alarmuar edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë. IKSHP thotë se në sezonin e dimrit qyteti i Prishtinës është zhytur në smog që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole, i cili vërehet gjithandej.
“Efektet afatshkurta të aerondotjes nga partikulat sipas shumë të dhënave na çojnë drejt rritjes së numrit të sëmurëve me astmës bronkiale, bronkitet kronike, sëmundje kronike obstruktive të mushkërive tek moshat e shtyra, rritjen e numrit të pranimeve spitalore nga sëmundjet kardiovaskulare dhe ato respiratore, kancer, shkurtimin e jetës dhe rritjes e shkallës së mortalitetit”, thuhet në reagimin e IKSHP’së