Mjekët thërrasin për kujdes nga rrezet ultraviolete dhe pajisjet klimaterike

Prishtinë | 10 Kor 2017 | 10:31 | Nga

Në vendet përreth Kosovës sot është në fuqi meteoalarmi i kuq, ndërsa tërhiqet vërejtja për nivel jashtëzakonisht të lartë të rrezatimeve ultraviolete.

Mjekët këshillojnë të mos dilni të pambrojtur, por fatkeqësisht shumica e qytetarëve nuk respekton këtë këshillë, duke rrezikuar kështu shëndetin e vet. Fatkeqësisht mjekët tanë, në Kosovë, thuaja janë të heshtur përballë rreziqeve që vijnë për shëndetin dhe jetën e qytetarëve, sidomos të disa kategorive moshore.

Sipas raporteve nga vendet fqinje, indeksi i rrezeve ultraviolete ka ditë që nuk zbret nga treguesi i kuq, pra alarmi për rrezikun nga ai nivel shumë i lartë. Ndërsa mjekët atje theksojnë se ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell gjatë kohës më të ngrohtë të ditës mund të lë pasoja serioze, sidomos ndër fëmijë, transmeton Koha.net. Për këtë arsye rekomandohen veshje me mëngë të gjata, sheshir, syze dhe kreme mbrojtëse.

Rrezet ultraviolete (UV) janë tepër të dëmshme sidomos kur indeksi i UV është më i lartë se 5. Ato në këtë rast janë alarm për njerëzit, të cilët duhet të kenë kujdes me rastin e daljes jashtë në mes orëve 10 e 17. Dihet incidenca e karcinomës së lëkurës, si e melanomës ashtu edhe të karcionomave jomelanomike, që po shënon rritje drastike. Çdo djegie nga rrezet e diellit bart me vete rrezikun për zhvillimin e karcinomës së lëkurës, ndërsa mbrojtja më e mirë është parandalimi, përkatësisht shmangia e fotoekspozimit, përdorimi i mbrojtjes së nevojshme, qoftë fizike apo në trajte kremi, këshillojnë mjekët e vendeve fqinje, pra ku kushtet klimaterike janë njësoj si në vendin tonë.

Mjekët gjithashtu këshillojnë që pajisjet klimaterike në automjete ose nëpër shtëpi nuk duhet të krijojnë temperatura me dallime më të mëdha se 5-10 gradë. Ja pse: Organizmi i njeriut është thuajse i përsosur, por nuk është i përsosur dhe i aftë të përshtatet menjëherë për ndryshime më të mëdha, përcjell Koha.net. Prandaj ato mund të rrezikojnë shëndetin, që nga forma e sinkopës më të lehtë, kolapsi, d.m.th. humbja e vetëdijes deri te pasoja me vdekje.

Uji i ftohtë mund të vijë i këndshëm, por nuk zgjidh problemin. Mjekët këshillojnë që etja të shuhet me ujë, ndërsa nxehtësia me pije të ngrohta ose të vaktë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme