Në pasditen e së hënës rreth orës 17:00, inspektorët shëndetësorë, e gjetën urologun A.N duke punuar në një ordinancë private, gjatë kohës sa ishte në orar të punës në klinikën e Urologjisë në QKUK.
Inspektorët shëndetësorë këtë e konfirmuan pasi inspektuan specialistin dhe vendin e tij të punës në sektorin privat.
A.N ishte kujdestar qysh nga ora shtatë e mëngjesit të hënën deri në orën e njëjtë në mëngjesin e së martës.
Lidhur me këtë është i informuar edhe ministri i shëndetësisë Arben Vitia.
“Në momentin kur gjejmë shkelje te tilla janë pastaj procedurat që do të merren në këtë drejtim, dhe unë do te jem vazhdimisht përkrahës i këtyre procedurave dhe normalisht kur janë ndëshkuese për personat e pandërgjegjshëm”, tha ministri Arben Vitia.
Ministri Vitia tha se nuk ka koment tani deri në marrjen e vendimit nga Inspektorati.
Mirëpo inspektimi i urologut nuk mbaroj më kaq. Të hënën, rreth orës 19:00 i njëjti u kontrollua se a është ri-kthyer në QKUK, dhe kësaj radhe u gjet në vendin e punës.
Televizioni Klan Kosova.tv ka kontaktuar urologun në fjalë i cili tha se gjithçka ka qenë në rregull dhe se inspektorët e kanë takuar në QKUK gjatë kujdestarisë.