Mjeku rus jep dorëheqje pas miratimit të vaksinës kundër Coronavirusit, sipas tij Rusia i ka shkelur rregullat etike

Prishtinë | 14 Gus 2020 | 19:56 | Nga Ekonomia Online

Mjeku rus i sëmundjeve të frymëmarrjes ka dhënë dorëheqje së fundmi, pasi sipas tij Rusia i ka shkelur rregullat etike mjekësore me vaksinën e coronavirusit.

Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, profesori, Alexander Chuchalin, e braktisi këshillin e etikës në ministrinë e shëndetësisë pasi e kritikoi vendimin për miratimin e vaksinës Sputnik V.

Vetëm ditë më parë Rusia e pati lansuar vaksinën e parë të ashtuquajtur kundër coronavirusit, dhe e njëjta pritet të aplikohet tek masa e gjerë gjatë muajit tetor.

“A i keni kaluar të gjitha rrugët e nevojshme të aprovuara nga legjislacioni i Federatës Ruse dhe nga bashkësia shkencore ndërkombëtare?”, I kishte pyetur anëtarët e këshillit Chuchalin.

“Kjo punë nuk është e kryer. Kështu që një nga parimet etike të mjekësisë është shkelur rëndë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, ditë më parë Organizata Botërore e Shëndetësisë, deklaroi se Rusia duhet të ndjekë standardet ndërkombëtare për prodhimin e një ilaçi kundër coronavirusit.

Organizata tha se ishte në negociata me autoritetet shëndetësore ruse për parakualifikimin e kësaj vaksine, sakaq ajo do të hyjë në faza të rënda testimi nga OBSH. 

Të ngjashme