Albin Kurti vuan nga mania për të operuar me teori dhe mendimtarë nga fusha e filozofisë. Në këtë mënyrë pretendon që të shfaqet si një figurë politike enciklopedike para mbështetëseve të tij. Mirëpo ai sa herë që flet dhe shkruan për tema të tilla vetëm sa i shpërfaq njohuritë e përcipta në këtë drejtim. Këtë “sëmundje” e demonstroj edhe sot me rastin e urimit për festën nacionale të Francës. Ngase pikërisht në atë urim e pasqyron mjerimin e tij “enciklopedik dhe filozofik”.
Aty Albin Kurti flet për një sintezë të çuditshme e cila mund të ekzistojë vetëm në mendjen e tij. Pra tregon fillimisht për ndikimin e Montesquieu dhe Rousseau si dhe pak më vonë të Kantit në interpretimin e kësaj ngjarje. Mirëpo, s’ka asgjë më larg të së vërtetës historike, politike dhe teorike se sa ky kompilim spekulativ. Sepse është e vërtetë që nëse veprat e Rousseau ishin ungjulli politik i ngjarjeve revolucionare në Francën e asaj kohe, ato të Montesquieu nuk kishin të bënin fare me të. Mësimet teorike të këtij te fundit u përvetësuan nga federalistët amerikanë. Dhe këto ngjarje qenë diametralisht të kundërta.
Kjo është arsyeja që e para përfundoj në terror, për esencën e së cilës ka shkruar Hegeli në kapitullin “Terrori dhe liria absolute” në veprën e tij monumentale “Fenomenologjia e frymës”. Sipas këtij mendimtari, “impulsin themelor të kësaj logjike e përbjën aspiratat jakobine. Kushdo që nuk i përshtatet asaj konsiderohet fraksion. Të tjerët trajtohen me dyshim; si armiq të popullit, vullnetit të përgjithshëm dhe kërcënim për këtë të fundit; si grupe që dëshirojnë ta shkëpusin veten nga vullneti i përgjithshëm.
Pra, të gjithë të tjerët definohen si vullnete private që duhen eliminuar dhe shtypur. Kjo edhe është arsyeja që asgjë s’mund t’i ikë furisë së saj destruktive dhe negativitetit të zbrazët. Sepse, siç pohon Hegeli, “vetëm nga shkatërrimi i asaj që është objektive ky vullnet negativ e përjeton sensin e të qenët ekzistent”. Përfundim ky që e dallon rrënjësisht këtë ngjarje nga Revolucioni Amerikan, që siç ka pohuar Hannah Arendt në librin e saj “On Revolution” etërit themelues të Amerikës ishin ndikuar pikërisht nga Montesquieu.
Po ashtu, nuk ka shtrembërim më të madh se sa përpjekja për ta lidhur këtë ngjarje me traktatin filozofik të Kantit, “Mbi iluminzimin”. Në fakt kjo vepër, si dhe shumë të tjera që u shkruan më vonë në filozofinë klasike gjermane, synonin pikërisht që ti shmangin njerëzit që të mos tundohen nga flaka e ndryshimeve revolucionare, por që përmirësimin e gjendjes sociale, politike dhe kulturore ta kërkonin nëpërmjet ilumizimit dhe jo revolucionit.
Pra për Kantin ato qëndrojnë në kundërthënie njëra me tjetrën. Madje për të shpëtuar nga revolucioni na duhet iluminizmi, sepse sipas këtij mendimtari deri te ky i fundit “një publik mund të mbërrij vetëm ngadalë. Nëpërmjet një revolucioni do të realizohet ndoshta një rënie e despotizmit të personit dhe shtypjes, e cila ishte e etur për fitime dhe për sundim, por asnjëherë nuk do të realizohet dot reforma e vërtetë e mënyrës së të menduarit; përkundrazi paragjykimet e reja do të shërbejnë, pikërisht sikur se të vjetrat, si fill drejtues i turmës së madhe që s’ka mendime”. Përsiatje këto që tregojnë se pse asnjë ndryshim nuk mund të ndodh duke i vazhduar praktikat e vjetra.