Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), ka bërë hapjen e aktiviteteve të planifikuara për nder të Ditës së Rinisë.
Aktivitetet me rastin e kësaj dite i ka hapur shoqata kulturore “Molla e Kuqe” dhe organizata joqeveritare “Access”, të cilat me mbështetje të MKRS-së kanë organizuar instalacionin dhe performancën artistike ku është kompletuar Flamuri i BE-së me mesazhin që Kosova është gati për liberalizimin e vizave, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se të rinjtë kosovarë duhet t’i kenë dyert e hapura për në Bashkimin Evropian.
“Është ditë e rëndësishme për të rinjtë sot, i uroj të rinjtë e Kosovës, janë një sërë aktivitetesh që do mbahen sot për Ditën e Rinisë, një pjesë e tyre në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile dhe gjatë tërë ditës do të ketë aktivitete”.
Ministri Gashi tha se beson që ky vit të jetë viti kur të rinjtë të kenë mundësi të jenë të lirë e të barabartë me të rinjtë e Evropës, raporton EO.
“Shteti i Kosovës, të rinjtë e Kosovës duhet t’i kenë dyert e hapura për në Bashkimin Evropian, dhe jam shumë i bindur që ky aktivitet sotëm koincidon edhe me kriteret dhe ato që shteti i Kosovës i ka plotësuar kushtet për t’i pasur dyert hapur në Bashkimin Evropian. Besoj që ky vit të jetë viti kur të rinjtë e Republikës së Kosovës që padrejtësisht kanë pasë probleme me lëvizjen e lirë, të jenë të lirë, të barabartë me të gjithë të rinjtë e Evropës”.
Edhe Arianit Jashari nga organizata “Access”, tha se të rinjtë duhet të lëvizin lirshëm në vendet e BE-së.
“Organizata Access në bashkëpunim me Mollën e Kuqe kemi bërë instalacion në shesh që na simbolizojmë 6 yjet e Kosovës në njëfarë forme që Kosova është gati dhe BE të hapë dyert për liberalizim që të rinjtë të lëvizim lirshëm”.
Disa organizata joqeveritare, me mbështetje të MKRS-së, gjatë gjithë ditës së sotme do të mbajnë aktivitete të ndryshme për të shënuar Ditën e Rinisë.