Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për nder të Ditës së Rinisë ka organizuar debat me shoqërinë civile për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë.
Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, tha se duhet të punojnë 365 ditë për rininë sepse, sipas tij, ajo është pjesa më vitale e shoqërisë.
Gashi theksoi se kanë nisur plotësim-ndryshimin e këtij ligji, sepse te rinia kanë ndryshuar rrethanat dhe kemi të bëjmë me realitet krejt tjetër, me zhvillime rinore jo vetëm në Kosovë, por edhe në BE dhe më gjerë.
“Në kohën kur e kemi nxjerrë këtë ligj ka qenë shumë i rëndësishëm. Ka shumë përparime, por edhe ngecje. Ky ligj nuk i ndihmon të rinjtë te problemi më madhor…”.
Gashi tha se kanë nisur këtë plotësim-ndryshim në mënyrë që ligji të jetë në favor të të rinjve, raporton Ekonomia Online.
“Qëllimet janë që ndryshimi i ligjit të jetë në favor të rinjve, i cili u ndihmon atyre të jenë në ballë të proceseve.
Tutje, ai ka thënë se janë duke realizuar disa projekte, derisa siguroi se gjendja e rinisë do të ndryshojë për të mirë.
“Të jeni të sigurt se gjendja e sektorit të rinisë do të ndryshojë për të mirë. Jemi duke realizuar disa projekte që janë në të mirë të të rinjve, por asnjëherë nuk jemi të kënaqur. Ligji po bëhet për të rinjtë, kemi pasë viteve të fundit largim të të rinjve dhe duhet të brengosemi si shtet. Por duhet të ofrojmë alternativa, sepse ka kapacitet”.
Gashi bëri të ditur se deri në fund të vitit do të debatojnë për ligjin dhe do të marrin impute nga rinia, për të parë cilat janë kërkesat reale të tyre, raporton EO.
Eksperti ligjor, Blerim Burjani, i cili po merr pjesë në plotësim-ndryshimin e ligjit, propozoi ndryshime dhe plotësime për ligjin e fuqizimit të të rinjve.
Burjani tha se do të propozojnë që mosha rinore të përfshijë të rinjtë deri në 30 vjeç, e jo siç ka qenë nga viti 2009 deri në 24 vjeç.
Burjani tha se do të jetë një fond për përkrahje rinore, ndërsa për rritjen e buxhetit për rininë do të vendosë qeveria dhe kuvendi. Ai tha se komunat nuk e respektojnë buxhetin e caktuar për rininë.
“Është menduar që fondi të jetë për përkrahje rinore, menaxhimin do ta bëjë MKRS-ja dhe do të ndahet linja e veçantë. Sa i përket rritjes së buxhetit për rininë do të vendosë qeveria dhe kuvendi. Do të jetë pak më konsolidues, një buxhet i cili nuk do të jetë i lëvizshëm. Duhet të jetë një buxhet i caktuar për rininë që komunat nuk e respektojnë. Ato s’po e respektojnë që OJQ-të nuk janë lokale, nuk po e lënë të vijë kreativiteti i tyre. Ekziston një diskriminim i hapur”.
Burjani vlerësoi se duhet të avancohen politikat e punësimit dhe trajnimit, derisa tha se do të kërkojnë punësim më aktiv të të rinjve, raporton EO.