Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi ka prezantuar objektivat strategjike të MKRS-së në fushën e sigurisë njerëzore për të rinj 2018-2022, raporton Ekonomia Online.
Gashi në konferencën e organizuar nga Departamenti i Rinisë me temën “Siguria njerëzore, problemi dhe reagimi institucional”, tha se këtë strategji, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka hartuar me qëllim të parandalimit të përhapjes së dukurive negative të cilat cenojnë sigurinë dhe mirëqenien e rinisë.
Në këtë konferencë u fol mbi rëndësinë e rolit të shoqërisë civile në parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, trafikimit të qenieve njerëzore, delikuencës të të miturve, sfidat dhe reagimi institucional.
“Kemi një transparencë dhe llogaridhënie para të gjithave institucioneve që mbështesin këto projekte për shkak se kemi të bëjmë me një temë të rëndësishme, por me një dukuri që dita ditës po eliminohet falë përkushtimit tonë edhe të MKRS dhe institucioneve tjera të sigurisë dhe organizatave që janë duke impementuar projektet e tilla”, tha Gashi.
“Dukurit negative të cilat cenojnë sigurinë e për cilat gjithë jemi vu në lëvizje për ta eliminuar kanë një obligim shtesë për ne dhe qeverinë dhe organizatat implementuse, por edhe të gjitha mekanizmat të tjerë vendore dhe ndërkombëtar”, tha ai.
“Jemi në fazën finale të strategjisë së re dhe për këtë kemi të specifikuar çështjen e parandalimit të ekstemizimit të dhunshëm dukuri që e ka ataku shoqërinë dhe të rinjtë tanë që kanë rënë pre e medieve të ndryshme, por edhe rrjeteve sociale që me apo pa dashje janë bërë pjesë e luftërave të cilat kanë pas në fillim karakter fetar me pas janë konstatuar që kanë qenë me qëllime të tjera”, tha Gashi.
Gashi tha se edhe pse ministria që ai drejton nuk e mbulon sigurinë, ai dhe MKRS nuk ka dashur të jetë indiferent ndaj çështjes së dhunës dhe ekstremizimit e cila sipas tij, është problem global.
“Si departament kemi pasur mjaftë thirrje për të mbështetur projekte të ndryshme dhe fokusi kryesor si ministër dhe MKRS ka qenë tek kjo temë duke pasur parasysh se në vazhdimësi kam qenë i brengosur me pjesëmarrjen e të rinjve në luftëra të ndryshme sepse përkundër faktit si ministri që nuk e mbulojmë sigurinë megjithatë nuk kemi dashur të jemi indiferenent ndaj kësaj çështje”, tha ai.
“Ne nuk do ndalemi me kaq përkundër faktit që kjo cështje ka filluar të eliminohet falë përkushtimit të akterëve dhe institucioneve të sigurisë dhe organizatave rinore që kanë bërë sensibilizimin e duhur përmes medieve, rrjeteve sociale dhe sot jemi ne gjendje tjetër. Ne do të vazhdojmë me tutje në mbështetjen e këtyre projekteve sepse është e rëndësihme parandalimi për të mos biem pre e thirrjeve ose mos të jemi pjesë e këtyre ngjarjeve qe kane dite ta tronditin botën”, tha në fund Gashi.
Xhevat Bajrami, drejtori i Departamentit të Rinisë në MKRS falënderoi ministrin për përkushtimin e tij të vazhdueshëm në sektorin e rinisë.
Arjanit Jashari, përfaqësues i të rinjve nga Kosova në RYCCO Tiranë tha se sa i përket sigurisë ndaj të rinjve në Kosovë nuk është punuar aq sa duhet dhe kërkoj një rol më të rëndësishëm të shoqërisë civile në trajtimin e kësaj dukurie negative.
“Nuk është bërë sa duhet dhe shoqëria civile ka rol të jashtëzakonshëm në hartimin e strategjive dhe konsideroj se është momenti që shoqërisë civile të i jepet rol më të rëndësishëm në hartimin e këtyre strategjive”, tha Jashari.
“Kosova ende nuk ka një strategji të përbashkët qe do mundësonte adresimin e problematikave të botës digjitale si tek rrjetet sociale dhe përdorimi i tyre dhe teknologia është përditshmëri e jona andaj sa ne duhet të dimë se sa janë të rinjtë tanë të sigurt në përdorimin e tyre. Gjuha e urrejtjes është një ndër nxitësit kryesor që dërgojnë tek ekstremizmi”, shtoi Jashari.