Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, në kuadër të shënimit të 10 vjetorit të Pavarësisë, ka bërë ndarjen e Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” dhe Çmimet Vjetore për Letërsi, raporton Ekonomia Online.
Çmimi Vjetor për Vepër Jetësore iu ndan shkrimtarit Rushit Ramabaja. Ministri Gashi, tha se këto çmime po ndahen pikërisht në vitin jubilar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Këto çmime ndahen në vitin jubilar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, jo rastësisht e kemi këtë në aktivitetet që po zhvillohen në këtë 10 vjetor, MKRS po vlerëson punën dhe angazhimin. juaj dhe ka ndërlidh këtë me një festë të rëndësishme pavarësinë e Kosovës”.
“Ministria ka themeluar një juri profesionale që ka dhënë kontribut të çmuar, kemi ardhur në një moment të ndarjes së këtyre çmimeve. Është bërë punë e shkëlqyer për të gjithë ju. Puna juaj për në është krenari dhe nder i veçantë”.
Ndërsa Ramabaja, tha se po ndihet i lumtur që këtë çmim po e merr pikërisht në këtë 10 vjetor që sipas tij u flijuan breza të tërë për pavarësinë e Kosovës.
“Çdo krijues i artit dhe çdo shkrimtar përpiqet që nga drita e shpirtit të vet të krijon botën fiktive por njeriu ecën me shenjën e të mirës dhe haresë. Jemi të lumtur që lexuesit tonë kemi arrit t’ia përçojmë mesazhin e të bukures, humanes. Në këtë 10 vjetor të pavarësisë Po e marrim këtë vlerësim nga ministria jonë, nga shteti ynë që për të u flijuan shumë breza gjatë shekujve e deri tek të rënët e UÇK-së”.
Çmimi për prozë “Anton Pashku” shkrimtarit Fatmir Halimi për veprën “Dy vdekje e një jetë”. Kurse çmimi “Ali Podrimja” për veprën më të mirë në poezi iu dha shkrimtarëve: Ismail Syla për “Atdheu im i ngyrsur” dhe Ragip Syla për veprën “Kam drojë për ty”.
Çmimin “Vehbi Kikaj” për fëmijë dhe të rinj e morën shkrimtarët Mexhit Mehmeti “Ecejaket e Hero Lindit” respektivisht Avni Dehari “Flakadanë e Lirisë”.
Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” iu nda Arben Veselaj për studimin “Tema Kadareane”, ndërkaq çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani” Orjela Stefasanit për veprën “Njerëzit dhe ingranazhet”.
Laureatët këto çmime i kanë marrë në bazë të vendimit të jurisë profesionale në përbërje të Hysen Matoshit, Merxhan Abdylit, Brikenë Ceraja- Beka, Shkelqim Millaku dhe Qazim Thaçi.
Shkëlqim Millaku, tha se ka pasur shumë konkurrencë dhe në emër të jurisë ka falënderuar për besimin.
“Në emër të jurisë falënderojmë për besimin që na ka dhënë për punën 525 veprave për t’i parë ato, ishte një punë serioze, jashtëzakonisht me prurje të reja. Kemi pas konkurrencë dhe të gjithë ata që nuk janë këtu kanë bërë një punë të madhe, kemi përzgjedh një mundësi tonë për të cilën për shumë kënd do mbetet pjesë e vlerësimeve që është ndarë korrekte apo si”.