MMPH-ja shënon Ditën ndërkombëtare pa vetura

Prishtinë | 22 Sht 2016 | 07:10 | Nga

Nën organizimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Kosova i bashkohet sot, fushatës për shënimin e 22 Shtatorit – Ditës ndërkombëtare pa makina.

MMPH-ja fton qytetarët që, së paku për një ditë, të lënë makinat dhe të promovojnë përmirësimin e transportit publik, çiklizmit dhe ecjes.

“Me këtë ngjarje simbolike MMPH-ja iu bënë thirrje qytetarëve, institucioneve dhe të gjithë faktorëve të tjerë që kanë ndikim, në mjedisin ku jetojmë dhe veprojmë, që të përdorin sa më pak makina dhe në vend të tyre të gjejnë forma alternative të qarkullimit” , thuhet në një komunikatë të kësaj ministrie.

Për shënimin e kësaj dite, janë paraparë një sërë aktivitetesh.

Në orën 10, Ferat Shala, u.d. ministër i MMPH-së do t’iu drejtohet të pranishmëve në një takim para ndërtesës së Qeverisë (Ish-Pallati i Medieve).

Më pas, në ora 10:20 do të ketë një defilim me biçikleta, duke filluar nga ndërtesa e Ministrisë nëpër rrugën “Ukshin Hoti”, duke vazhduar në rrugën “Garibaldi” përmes rrugës “George Bush” te Katedralja “Nënë Tereza” dhe do të vazhdohet në drejtim të hotel “Grandi”, për t’u kthyer sërish te Ndërtesa e Ministrisë.

“Kemi vlerësuar se nuk do të ketë bllokim të trafikut normal. Me këtë rast për sigurinë në komunikacion do të përkujdeset Policia e Kosovës dhe do të shoqërohemi edhe nga Njësiti i Biçiklistëve të Policisë së Kosovës”, saktësohet në njoftimin e MMPH-së.

Me rastin e kësaj dite do të vendosen edhe 200 pamflete edukuese në dy anët e rrugës “George Bush” deri te Sheshi “Ibrahim Rugova” si dhe dy banera në Hapësirën para Ndërtesës së Qeverisë dhe në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Historia e Ditës Ndërkombëtare pa Makina

Çdo vit me 22 shtator, njerëzit nga gjithë bota bashkohen në rrugë dhe lagje për t’iu përkujtuar njerëzve se nuk duhet të pranojmë të bëhet shoqëri e dominuar nga makinat. Në vitin 2007, më shumë se 2000 qytete nga 35 shtete të ndryshme kanë shënuar këtë ditë me qëllim që të kontribuojnë në inkurajimin e qytetarëve të përdorin forma tjera alternative të transportit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme