Turqia mori me të vërtetë një vendim historik me votimin e djeshëm të një reforme kushtetuese që ndryshoi 18 nene të dokumentit themeltar, duke e shndërruar atë në shtet presidencial. Formula kemaliste e ndarjes së pushteteve, e organizimit institucional, ka funksionuar për shumë kohë dhe kjo është e sigurt, por a mund të funksiononte në kushtet e luftërave që zhvillohen afër Turqisë dhe kërcënimeve për të? Referendumi vendosi pro ndryshimit të kësaj formule.
Në kuptimin institucional, reforma e miratuar racionalizon qeverisjen në Turqi, duke zvogëluar hallka të « tepërta » për nevojën turke për centralizim. Ajo instalon në Turqi modelin amerikan të qeverisjes, kur presidenti është në të vërtetë dhe kryeministër, por me parlament më të dobët dhe me një president si Erdogani që rishpik veten, pasi ka patur tri mandate kryeministri.
Reforma u arrit me dy hapa: votimin parlamentar, por jo me dy të tretat, (madje pati dhe disidentë brenda partisë së Erdoganit) dhe me votimin popullor, i cili nuk arriti megjithatë një shumicë dërrmuese.
Çfarë tregoi votimi i së dielës?
Nëse do të mbështetemi në rezultatin zyrtar, votimi tregoi një Turqi të ndarë përgjysmë. Kanë votuar kundër ndryshimit, pra presidencializmit të Erdoganit, shumica në qytetet më të rëndësishme, ato përgjatë bregdetit dhe me gjasë dhe shumica e turqve në emigracion (afro 2 milion). Vota eventualisht kundër e emigrantëve tregoi arsyet pse pati përplasje midis Turqisë dhe shteteve të Evropës për të lejuar fushatën pro ndryshimeve jashtë territorit: sipas sondazheve, rezultati ishte i ngushtë dhe duhej punuar për të siguruar një shumicë dhe në gjirin e emigrantëve.
Nëse mbështetemi në rezultatin zyrtar, atëherë Turqia ngjan megjithatë një shtet ku presidenti nuk i kishte gjithë fuqitë, ashtu siç na ofrohet shpesh vizioni i Turqisë. Rezultati doli i ngushtë, (pra zgjedhjet nuk duhet të manipulohen në shkallë industriale që të ofrohej për shembull një imazh konsensualiteti të Presidentit Erdogan në gjithë popullsinë turke), brenda partisë së tij pati 6 disidentë; në parlament nuk u arrit shumica prej dy të tretat; pati diferenca qytete të mëdha, emigrantë-popullsi rurale; pritet të ketë kontestime të referendumit. Ajo çka pritet megjithatë të ndodhë, pas instalimit të këtij modeli, është për t’u parë: por vështirë se gjysma e Turqisë që kundërshtoi ndryshimet do të rrijë duarkryq dhe do të pranojë autoritarizmin.
Rezultati në fjalë, ndarja që rezulton prej tij, është paradoksalisht dëshmi e frymëzimit që ka një pjesë e elitës turke, të udhëhequr nga Erdogan për më shumë centralizim. Nëse Turqia është e ndarë përgjysmë në preferencat për sistemin e qeverisjes; nëse pro destabilizimit, përçarjes, ndarjes së mëtejshme, punojnë shumë shtete të fuqishme, me disa luftëra në afërsi (Siria, Iraku, Armenia, etj) në një popullsi të ndarë në shumë etni, fe, etj, me nivele të ndryshme zhvillimi ekonomik dhe arsimor : a duhet më shumë centralizim apo decentralizim pushteti?
Përballë një panorame të tillë kaq të ndarë, dhe Erdogani pritet të reflektojë dhe një sinjal u pa menjëherë. Presidenti nuk e bëri automatik vendimin për miratimin e dënimit me vdekje, por paralajmëroi për një referendum tjetër për këtë çështje. Një shtyrje në kohë, por dhe përpjekje për të treguar se presidenti super i fortë i Turqisë do dijë ta lexojë ndarjen popullore që u shfaq në kutitë e votimit.