Modriq thotë se largimi i Casemiros nuk i bën dëm Real Madridit

Prishtinë | 10 Sht 2022 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Luka Modriq ka thënë se largimi i Casemiros nga Real Madridi nuk do ta dëmtojë klubin, për shkak të bollëkut të opsioneve që ekipi madrilien ka në mesfushë.

“Ne kemi filluar shumë mirë këtë vit dhe kemi një ekip të fortë. Në mesfushë, humbëm një lojtar të rëndësishëm, Casemiron, por kemi shumë lojtarë të tjerë të mirë për të zëvendësuar atë, të cilët bëjnë një punë shumë të mirë”, tha Modriq në një intervistë.

“Tchouameni është përshtatur shumë mirë. Ky është viti i dytë i Camavingas dhe ai pati një vit të parë të mrekullueshëm. Kroos ka qenë këtu për një kohë të gjatë. Valverde është gjithashtu duke bërë shumë mirë në çdo pozicion. Ceballos po e ndihmon shumë ekipin. Ne jemi të pajisur mirë në këtë pozicion”, shtoi Modriq.

Casemiro u largua nga Real Madrid për t’iu bashkuar Manchester United. Ai ishte pjesë e një prej tresheve më të rrezikshme të mesfushës, së bashku me Toni Kroos dhe Luka Modriq.

Real Madrid ka bërë një fillim të fuqishëm të sezonit, duke fituar çdo ndeshje në çdo kompeticion deri më tani, shkruan Goal, përcjell Klankosova.tv.

Të ngjashme