Mogherini: Ballkani, prioriteti i katërt i BE-së

Prishtinë | 29 Gus 2017 | 09:58 | Nga

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, thotë se Ballkani është “prioriteti i katërt” i Bashkimit Evropian, ku BE-ja “mund të humbë më tepër dhe të fitoj më tepër”.

Mëtutje, duke folur dje në Konferencën e ambasadorëve të Bashkimit Evropian për vitin 2017 në Bruksel, zonja Mogherini tha se Ballkani nuk “është larg nesh”, por “është Evropë” dhe është shprehur se ndjehet e zemëruar kur kolegët e saj u thonë “miqve në Ballkan” se “jeni në rrugë për në Evropë, pasi ky rajon është në Evropë dhe kjo shihet qartas kur kemi të bëjmë me sfida të sigurisë, me rrugët e migrantëve, kur kemi të bëjmë me investimet ekonomike, e shumë gjëra të tjera”, transmeton REL.

Zonja Mogherini ka theksuar, po ashtu, se “këtë vit ne kemi parë tensione në Ballkan, që janë paraqitur në momente të ndryshme dhe në vende të ndryshme”, raporton faqja në Internet e BE-së.

Pasi e përmendi se më 31 gusht do të takohet përsëri me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe me atë të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zonja Mogherini theksoi se BE-ja duhet të “ndërmarrë hapa substancialë përpara për secilin partner tonin në Ballkan në rrugën e tyre kah anëtarësimi në Bashkimin Evropian”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme