Mogherini edhe një herë shprehet pro hapjes së negociatave

Prishtinë | 17 Qer 2019 | 12:38 | Nga Ekonomia Online

Para takimit të rregullt të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së në Luksemburg të martën, Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme ritheksoi nevojën e hapjes së negociatave.

Federica Mogherini, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme edhe njëherë ka kërkuar nga vendet anëtare të BE që të marrin vendim pozitiv në lidhje me çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Këto komente ajo i ka bërë para takimit të rregullt të ministrave të Jashtëm të vendeve të BE-së.

Mogherini: Çelja e negociatave të bëhet sa më shpejt

Mogherini para takimit theksoi, se dëshiron të fillojë “me një koment pozitiv, pasi sot është plot një vit pas nënshkrimit të marrëveshjes së Prespës në mes të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Mendoj se duhet ta kujtojmë fuqinë e lidershipit dhe guximit dhe hapat e rëndësishëm që janë ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor. Vendet anëtare duhet ta kujtojnë këtë dhe të vlerësojnë hapat e bëra përpara, sidomos kur në ditët në vazhdim do të merret një vendim i rëndësishëm për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, gjë që mendoj se duhet të bëhet sa më shpejt”, ka thënë ajo.

Të martën në takimin e ministrave të Jashtëm në Luksemburg vendet anëtare pritet që të merren shkurt edhe me Ballkanin. Disa vende të BE kanë kërkuar që të merret një vendim pozitiv për çeljen e negociatave. Por duket se atmosfera e përgjithshme nuk është në favor të një vendimi të tillë, pavarësisht premtimeve të mëhershme.

Vendimi pritet të shtyhet

Sipas të gjitha gjasave vendimi do të shtyhet deri në shtator të këtij viti. Në një draft të takimit, i cili ka qarkulluar që të hënën për mediat, e që Deutsche Welle e zotëron thuhet, se në konkluzionet e takimit të ministrave të Jashtëm vetëm do të theksohet përparimi i bërë dhe vlerësimi pozitiv i përparimit që nga raporti i kaluar. Në kuadër të kohës së kufizuar dhe rëndësisë së çështjes, Këshilli do t’i kthehet çështjes me qëllim të marrjes pozitive të vendimit sa më shpejtë që është e mundur dhe jo më vonë se shtatori 2019.

Gjasat për çelje të negociatave për Maqedoninë e Veriut janë mjaft të larta, mirëpo ato të Shqipërisë janë goditur rishtas me një vendim të Qeverisë së Holandës e cila ka vlerësuar se çelja e negociatave me Shqipërinë është e parakohshme. Holanda edhe pse një vend i vogël ka peshë në Bashkimin Evropian pasi është kontribuesi më i madh për kokë banori në buxhetin e BE-së dhe shihet si përfaqësues i vendeve të vogla ne BE. Para disa ditëve në një takim me anëtarë të Parlamentit Evropian u theksua, se Bashkimi Evropian dhe institucionet e tij në shumicë janë për zgjerim dhe çelje të negociatave por kjo nuk përcillet edhe nga vendet anëtare. Deklarata nga ky takim i rëndësishëm do të bëhet të martën (18.06) në një konferencë për gazetarë në Luksemburg në orët e pasdites.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme