Federica Mogherini, Përfaqësuese e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë në BE, do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor nga 17 deri më 19 prill por jo edhe në Kosovë.
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së ajo do të vizitojë Shqipërinë, ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Malin e Zi dhe Serbinë.
Vizita do të ndjekë diskutimin mbi Ballkanin Perëndimor në Këshillin e Punëve të Jashtme më 16 prill në Luksemburg dhe miratimin e paketës së Zgjerimit që do të paraqitet së bashku me Komisionerin Johannes Hahn në Strasburg më 17 prill.
Ajo gjithashtu ndjek publikimin e Strategjisë së Ballkanit Perëndimor në shkurt dhe vjen një muaj përpara Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje më 17 maj.
“Ballkani Perëndimor është Evropa dhe do të jetë pjesë e së ardhmes së Bashkimit Evropian, e një Bashkimi më të fortë, të qëndrueshëm dhe të bashkuar. përgjegjësi e përbashkët me vendet e rajonit për të mirën e të gjithë qytetarëve tanë. Ky është momenti për të sjellë ndryshime pozitive për të bërë përparim të pakthyeshëm dhe transformues drejt BE-së “, tha Mogherini.
Mogherini do të takohet me autoritetet politike, duke përfshirë përfaqësuesit e qeverive dhe të partive politike.
Më 18 prill në Shkup, ajo do të marrë pjesë në një takim jozyrtar të Kryeministrave të partnerëve të Ballkanit Perëndimor.