Mogherini: Palët të vendosura për uljen e tensioneve

Bruksel | 02 Shk 2017 | 00:15 | Nga

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, është deklaruar pas takimit të dytë e nivelit të lartë të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Mogherini ka përsëritur se vazhdon të mbetet e inkurajuar nga përkushtimi i treguar nga të dy palët dhe ka theksuar sërish se takimet po i ndihmojnë uljes së tensioneve mes dy shteteve.

Pas takimit të nivelit të lartë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, nuk ka pasur prononcime.

Ndërsa Zyra e Mogherinit ka lëshuar një komunikatë shtypi.

“Bashkë me presidentët Hashim Thaçi e Tomislav Nikoliq dhe kryeministrat Aleksandar Vuçiq e Isa Mustafa pata një takim tjetër të nivelit të lartë në Dialogun për normalizim të marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës”.

“Në takimin e sotëm vazhduam diskutimet që kishim në takimin e 24 janarit. Jam e inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i të dy palëve. Ky përkushtim dhe politik do të kontribuojnë shumë në uljen e tensioneve dhe do të vazhdojmë të punojmë”, citohet Mogherini.

Sipas saj, dialogu është një proces shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për rajonin dhe Bashkimin Evropian.

“Progresi për normalizimin e marrëdhënieve është çelësi për të dyja palët për të ruajtur paqen dhe për të shkuar drejt Bashkimit Evropian. Është esencial për Evropën dhe stabilitetin e rajonit”.

“Të gjithë pjesëmarrësit sot rikonfirmuan angazhimin e tyre të plotë për të punuar së bashku në kuadër të Dialogut. Do të doja të falënderoja të gjithë pjesëmarrësit, presidentët Thaçi dhe Nikoliq, dhe kryeministrat Vuçiq e Mustafa për diskutim të sinqertë dhe konstruktiv që patëm”, përdundon deklarata e Mogherinit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme