Molliqaj kritikon Krasniqin dhe Abdixhikun: Po flirtojnë me pushtetin autoritar të Kurtit

Prishtinë | 24 Maj 2024 | 12:55 | Nga Ekonomia Online


Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.

Molliqaj ka kritikuar edhe PDK-në edhe LDK-në rreth sjelljes së tyre në raport me kryeministrin dhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Ai ka thënë se Memli Krasniqi timonin ia ka dhënë Kurtit, kurse Abdixhikun e ka akuzuar se po sillet si gomë rezervë.

“Kërkesa për zgjedhje buron nga Kurti dhe kalkulimi i tij populist. Kundërshtimi i kësaj iniciative duhet të jetë kategorik, sepse është kundërshtim ndaj nënshtrimit. Çdo kusht që i vendoset kërkesës për zgjedhje, nuk është kundërshtim kategorik, por kundërshtim formal e përafrim me mendësinë autoritare, duke e marrë rolin e të nënshtruarit në vetvete e rolin e vegëzes për Kurtin”, ka shkruar Molliqaj në “Facebook”.

Postimi i plotë:

Zgjedhjet e parakohshme nuk do duhej të ishin as çështje e bindjeve dhe orientimit politik, as e formalitetit apo procedurës. Ato do duhej të rrjedhin nga nevoja për një ristrukturim të legjislaturës dhe ekzekutivit, jo nga disponimi i pushtetit dhe nënshtrimi i opozitës.

Përderisa Memli timonin e PDK-së ia ka ofruar Kurtit, Lumiri po silllet si gomë rezervë. Njeri u nënshtru pa kushte e tjetri nënshtrimin po mundohet me arsyetu me ndonjë kusht të pa vlerë. Të nënshtruar janë dytë!

Kërkesa për zgjedhje buron nga Kurti dhe kalkulimi i tij populist. Kundërshtimi i kësaj iniciative duhet të jetë kategorik, sepse është kundërshtim ndaj nënshtrimit. Çdo kusht që i vendoset kërkesës për zgjedhje, nuk është kundërshtim kategorik, por kundërshtim formal e përafrim me mendësinë autoritare, duke e marrë rolin e të nënshtruarit në vetvete e rolin e vegëzes për Kurtin.

Memli me njërën anë e Lumiri me tjetrën jo që po e kundërshtojnë Kurtin, por po mundohen, secili për vete e në format e tyre të flirtojnë me pushtetin autoritar të Kurtit!

Përbindëshit kur të tentosh ti afrohesh, të përbinë. Fati i PDK-së e LDK-së tashmë është në duart e Kurtit, e Kosova në rrezik nga kalimi i autoritarizmit me opozitë formale në Kuvend në autoritarizëm pa opozitë hiç, sepse kuvendi po përpiqet të shpërndahet dhe opozita me apo pa shpërndarje të Kuvendit, po shpërbëhet.

Të ngjashme