Molliqaj: Kurti po i mban gjallë tensionet, ideja e dialogut është e kundërta e veprimeve të tij

Prishtinë | 22 Gus 2022 | 20:21 | Nga Ekonomia Online

Ideja e dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare është e kundërta e asaj çfarë po vepron kryeministri Kurti. Si për luftë, si për paqe, kërkohet guxim dhe vizion. Kurti nuk e ka asnjërën.

Kosova dhe Serbia po e vazhdojnë dialogun në Bruksel. Por, ky proces i dialogut po shihet ende brenda idesë së vjetër për Asociacion me shumicë serbe. Kështu vlerëson kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një intervistë për Demokracia.com.

Molliqaj ka thënë se Kurti po del të jetë më keq se vazhdimësi e atij projekti, pasi që tani është bërë motor i tij.

“Diskutimi për pjesë të veçanta të marrëveshjes, të cilat trajtojnë veriun e Kosovës si të ndarë në shumë fusha, tregon që marrëveshja përfundimtare nuk do të jetë njëmend e fundit, sepse çdo zgjidhje politike që nuk e ka në themel qytetarinë, ka potencial për konflikt dhe keqpërdorim”, tha Molliqaj.

Sipas tij, ideja e dialogut dhe marrëveshjes përfundimtare është e kundërta e asaj çfarë po vepron Kryeministri i Kosovës.

“Si për luftë, si për paqe, kërkohet guxim dhe vizion. Kurti nuk e ka asnjërën. Ai është i rrezikshëm, sepse krijon insinuata, mban gjallë tensione, e luan rezistentin. Por, ai në politikë po del të jetë më tepër tek gjesti sesa tek veprimi”, shtoi Molliqaj, duke komentuar deklaratën e Kurtit për luftën.

Një paralajmërim i tillë, sipas tij, përveç që është i pasaktë është edhe deklaratë krejt e pamatur dhe këtë e provon edhe reagimi i faktorit ndërkombëtar.

“Kurti nuk mund të vazhdojë edhe gjatë kështu, duke krijuar situata fiktive për ta shmangur ballafaqimin me realitetin”, shtoi ai.

I pyetur lidhur me shtyrjen e vendimit të Qeverisë Kurti për 1 shtator për dokumente dhe targa serbe, Molliqaj për Demokracia.com ka thënë se nuk mund të thotë me saktësi se çka do të veprohet më 1 shtator, pasi që kjo Qeveri është totalisht e mbyllur ndaj qytetarëve dhe shoqërisë civile.

“Ajo e ka rrjedhur përmbajtjen e Kuvendit, duke e kthyer në mbështetje për vete. Kuvendi as nuk informohet, e as nuk kërkon llogari. Reciprociteti nuk është ndonjë zgjidhje e as ndihmë për dialogun. Nëse do ta kishim pasur për qëllim paqen mes popujve, çdo veprim do të ishte shikuar nën dritën e këtij qëllimi. Problemi me Serbinë është politik dhe nuk mund të zgjidhet përmes marrëveshjeve të pjesshme”, ka theksuar kreu i PSD-së.

Ditë më parë, emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se në takimin ndërmjet presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti me sekretarin amerikan të shtetit, Anthony Blinken, është diskutuar edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por për PSD-në kjo do të ishte zgjidhja më e keqe e mundshme.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe, për Partinë Socialdemokrate është zgjidhja më e keqe e mundshme për Kosovën. Këtë e di edhe z. Kurti. Fillimisht një version të tillë, ashtu siç po duan ta risjellin tani, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka hedhur poshtë. Një marrëveshje e tillë tani na është rikthyer në tavolinë diskutimi. Asociacioni duhet ndalur. Krijimi i tij siguron cenimin e përhershëm të shtetësisë dhe zhvillimit të vendit”, ka thënë Molliqaj.

Lideri i PSD-së ka folur edhe për krizën e rëndë ekonomike nëpër të cilën po kalojnë qytetarët e vendit tonë.

“Kriza ekonomike është problem global, por qasja e Qeverisë Kurti në raport me krizën, problemin e shumëfishon. Inflacioni që e ka kapluar vendin është më i larti në Evropë dhe në këtë pikë, Qeveria edhe ka qenë komplet indiferente, duke e lënë qytetarin nën mëshirën e oligarkëve dhe nga ana tjetër modeli ekonomik që është duke e ndjekur Qeveria, krizën e rritë akoma më shumë. Refuzimi i Qeverisë për ta futur në qarkullim paranë publike është hap i gabuar në ekonomi. Gjithashtu, masat që i ka ndërmarrë Kurti për lehtësim të krizës ekonomike deri më tash kanë qenë të gabuara. Siç edhe jemi deklaruar tashmë, masa për ndarjen e 100 eurove është masë e gabuar. Nuk mund të trajtohen të gjithë njëjtë, meqenëse nevojat e njerëzve janë të ndryshme. Ndërsa, në anën tjetër, kjo është logjikë e lëmoshës. Mirëpo nuk vonoi dhe u dëshmua dështimi i kësaj politike”, ka thënë Molliqaj.

Kryetari i PSD-së ka thënë se ky dimër pritet të jetë edhe më i vështirë sesa ai i kaluari sa i përket furnizimit me energji elektrike dhe Qeveria e Kosovës përsëri po vazhdon të jetë indiferente ndaj këtij problemi.

“Për dallim prej vendeve të rajonit, të cilat me krejt kapacitetet e veta po angazhohen që të sigurojnë furnizim sa më të mirë me energji për dimrin që po vjen, me ato që dimë deri më tani, Qeveria e Kosovës është në gjumë. Deri më tani, ministrja Artane Rizvanolli vetëm na ka paralajmëruar për një krizë të thellë që na pret për këtë dimër, por asnjë fjalë rreth planit të Qeverisë sesi do t’i qaset këtij problemi. Nga ana tjetër, kërkesa për shtrenjtim të serishëm të energjisë është e papranueshme për PSD-në dhe nëse një veprim i tillë bëhet vendim, atëherë përgjigja jonë është protesta masive ndaj kësaj neglizhence dhe paaftësie të Qeverisë Kurti. Kjo qeveri nuk e ka preokupim qytetarin”.

Ndërsa, i pyetur nëse është i kënaqur me funksionimin e PSD-së si opozitë dhe me performancën e ekipit të tij, Molliqaj ka thënë se për fat të keq të Kosovës, PSD-ja është opozita e vetme në vend, e cila e ka denoncuar dhe e ka kundërshtuar me aksione, kritika dhe protesta keqqeverisjen e Albin Kurtit.

“Ne kemi kërkuar edhe bashkërendim të veprimeve edhe me partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, por për fat të keq përgjigja ka qenë negative. Ashtu siç edhe kemi thënë në fillim, opozita parlamentare në Kosovë tashmë është e nënshtruar nga hegjemonia e Kurtit. Kështu, ne opozitarizmin tonë do ta vazhdojmë edhe më shumë, për shkak se edhe gabimet e qeverisë po rriten dita-ditës. Performancën tonë janë qytetarët ata që e vlerësojnë. Deri më tani kemi marrë vlerësime për punën tonë”, ka thënë Molliqaj.

Ai ka shtuar se po punojnë që disponimi qytetar të rritet për PSD-në, por duhet pasur parasysh që angazhimi dhe natyra e punës së aktivistëve të PSD-së shpeshherë është kundër rrymës që e dominon opinionin publik.

“Për disa çështje të cilat ne mendojmë se janë vlera, insistojmë pavarësisht sesi shoqëria i percepton. Kjo e bën PSD-në, që të jetë edhe kundër mendësisë dominuese. Sigurisht, kjo shpeshherë na prish punë në sondazhe, por për ne kjo ka pak rëndësi krahasuar me faktin se vlerat në të cilat ne besojmë mund të përqafohen nga shoqëria”, ka thënë ai.

Molliqaj ka thënë se PSD-ja është progresive dhe preokupim i ka vlerat dhe jo populizmin, ku fokusi është vetëm te rritja elektorale.

Të ngjashme