Partia Socialdemokrate po akuzohet se nuk po bashkëpunon me dy partitë tjera opozitare Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë, përmes mocionit të votëbesimit.
Por një version tjetër rreth pamundësisë së shkuarjes në zgjedhje, e jep në një intervistë për Ekonomia Online, deputeti nga radhët e PSD-së, Dardan Molliqaj.
Ai thotë se LDK-ja dhe VV-ja, nuk e kanë guximin ta nisin mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Haradinaj. Kjo sipas tij, për shkak të presioneve nga akterët ndërkombëtarë, ku këta të fundit, kërkojnë që viti 2019 të ketë marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“E kemi qitë në binarë procesin e dialogut, ndërsa për projekt buxhetin kemi qitë disa kushte të cilat jo vetëm nga ne por edhe nga shumica e qytetarëve janë vlerësua si të drejta dhe të domosdoshme, kështu që ne nuk jemi të interesuam me u lëshuar me akuza, ne bëjmë thirrje që LDK të bëhet pjesë e proceseve në Kosovë dhe të diskutojmë bashkë, jemi të hapur për rrëzimin e qeverisë dhe të interesuar, jemi i vetmi subjekt që i kemi dorëzuar nënshkrimet”.
“…unë e them sa herë jap deklarime publike për këtë temë, që as LDK dhe as Vetëvendosje nuk guxojnë me nis mocion mosbesimi ndaj kësaj qeverie, për shkak të presionit ndërkombëtar që ky vit të jetë vit i marrëveshjes me Serbinë, kështu që më duket kot, sepse a ke vullnet me rrëzuar qeverinë ose jo ajo bëhet përmes nënshkrimit të deputetëve, nisjes të mocionit të mosbesimit dhe votimit”, tha Molliqaj.
Shkuarja në zgjedhje të parakohshme, sipas Molliqajt, mund të ndodhë edhe me kalimin e njërës nga partitë të koalicionit në opozitë. Akuzat ndaj PSD-së, ai i quan të padrejta dhe të pandershme.
“Besoj që është e padrejtë, e pandershme dhe tashmë e pasaktë çfarëdo tendence me sulmuar Partinë Socialdemokrate e cila është faktor që e mban qeverinë ose jo. Edhe ata vetë por edhe publiku vet e din që në Kosovë mungon shumica për ta rrëzuar qeverinë pa dal njëra nga partitë që është në pushtet me kampin tonë opozitar të përbashkët ne nuk mund ta rrëzojmë këtë qeveri, dallimi mes neve dhe LDK-së në këtë rast është që ne kemi vendosë që përderisa ti bëjmë numrat për me rrëzuar këtë qeveri ta korrektojmë dhe ndryshojmë aq sa kemi fuqi pushtetin”, u shpreh Molliqaj për Ekonomia Online.
Molliqaj iu bën thirrje LDK-së dhe VV-së që ata ta marrin iniciativën për nisjen e mocion mosbesimit, duke iu garantuar që vota e PSD-së do të jetë pro rrëzimit të Qeverisë.
“Unë i sfidoj ata që ta nisin një mocion mosbesimin dhe të shohin se si do votojë PSD-ja, unë iu them që PSD-ja do votojë për rrëzimin e Qeverisë, nëse ata konsiderojnë që PSD-ja duhet të sillet si pas agjendës së tyre partiake, mendoj që janë duke gabuar sepse ne jemi në demokraci dhe pluralizëm dhe secila parti e ka agjendën e vet se si sillet në opozitë ose në pushtet, kështu që më duket se mentaliteti i tij i kaluar komunist nuk po e len me kuptuar që jemi në pluralizëm, nuk jemi në një komunizëm ose sistem një partiak”, u shpreh Molliqaj.
Molliqaj foli edhe për pesë kushtet e PSD-së karshi ekzekutivit në këmbim të votës për Ligjin e Pagave. Njëra ndër to, ishte edhe Ligji për Qeverinë, ku sipas tij, e obligon ekzekutivin që deri në mars-prill të këtij viti, të zvogëlojë numrin e zëvendës ministrave. Ai është i bindur se ky ligj do të kalojë.
“Besoj që në mars ose prill do vjen ligji për qeverinë e Republikës së Kosovës, që ka qenë kushti i pestë nga PSD-ja, i cili përveç që definon rolin e qeverisë, formatin e saj, numrin, një prej kërkesave më ekskluzive të PSD-së ka qenë që të mos ketë më shumë se dy zv.ministra për ministri për shkak se konsiderojmë që është e panevojshme siç është sot, pra me miratimin e këtij ligji në Kosovë do kemi përgjysmim të numrit të zv.ministrave. Jam i sigurt dhe i bindur që ky ligj do kalojë jo më larg se prillin dhe nuk ka qysh me ndodhë ndryshe, të gjitha kushtet tona duhet të plotësohen”.
Deklaratat e Molliqajt, nuk i ka komentuar deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. Ai për Ekonomia Online, tha se nuk beson në deklarimet e tij.
“Kurse sa i përket deklaratave të grupit parlamentar të PSD-së, nuk kam ndonjë koment të veçantë por nuk janë për to besuar shumë për shkak të rolit që kanë pasur ata. Kushtetues ndaj Qeverisë për agjendat e tyre krejt ndoshta të ngushta, prandaj në këtë rast ne jemi të detyruar në bazë të përvojës të mos i besojmë çfarë thonë”, tha Selimi.
Ai shtoi se pa mbështetjen e Listës Serbe as opozita e as pozita, nuk i kanë votat e mjaftueshme për rrëzimin e Qeverisë. Sipas tij, deputetët serb përcaktojnë shumicën e qeverisë në parlament dhe ka përcaktuar formimin e qeverisë.
“Në fakt opozita nuk i ka votat për ta rrëzuar qeverinë dhe në ndërkohë qeveria nuk e ka shumicën në parlamentin e Kosovës sepse në mes këtyre të dyjave ekziston lista serbe që së paku ka përcaktuar formimin e qeverisë dhe përcakton shumicën e qeverisë në parlamentin e Kosovës, kështu që nuk i kanë votat as opozita e as mazhoranca për ta mbrojtur nesër veten nëse kanë nevojë për aq sa lista serbe nuk i mbështetë”, ka thënë Selimi.
Për LDK-në është e rëndësishme që të rrëzohet Qeveria, edhe me votat e Listës Serbie.
Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ismet Beqiri, për Ekonomia Online, tha se pranojnë votat e CD deputeti të Kuvendit të Kosovës, por nuk pranojnë kushtëzime nga ligjvënësit serb.
“Ne nuk mund të themi se refuzojmë votat e asnjë deputeti, kushdo që ka gatishmëri me përkrahë një mocion të tillë është i mirëseardhur çdo subjekt. Kjo qeveri është e formuar edhe me listën serbe, por ne nuk shkojmë në rrëzim të qeverisë me asnjë kushtëzim që na jep lista serbe”, tha Beqiri.