Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate, është shprehur se ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, po e shantazhon kryesuesen e KQZ’së, Valdete Dakën.
Molliqaj e argumenton këtë, duke thënë se Osmani nuk është parimore, teksa ka thënë se në vend që të ç’kapet shteti, po kapet nga një grup i ri politikanësh.
Ai, tutje, ka kërkuar largimin e Dakës nga pozita.
Postimi i plotë:
Kërcënime e shantazhe nga pozita e pushtetit nga krerët e institucioneve, a nuk është çfarë kemi parë nga mendësia e vjetër? Por ne të gjithë besuam me të drejtë që regjimi i vjetër duhet të ikë. Valdete Daka bashkë me ta. Regjimi i vjetër duhet te rrëshqas në pakthim.
Por jo! A nuk është ajo çfarë kemi parë ditëve të fundit nga Osmani saktësisht e njëjta gjë? A nuk është përsëritje e mendësisë së vjetër dhe madje me instrumentet e njëjta të keqpërdorimit të pozitës për të kërcënuar? Sikur Osmani të ishte parimore në pozicionin e saj dhe e vërtetë në bindje, atëherë do të duhej ta shkarkonte Dakan. Shantazhi është ligësi. Institucionet e kapura nuk çlirohen me nënshtrimin e tjetrit/tjetrës.
Këto lloj metodash janë shenja treguese të një pushteti në thelb të padrejtë. Logjika totalitare kurrë nuk e respketon ligjin deri në fund, sepse duke falur shkelësit e tij, ajo mbanë pengje, nënshtron duke mëshiruar. Mbajtja gjallë e kërcënimit është veti jetike e regjimit.
Ne mund të themi se ç’kapja tashmë ka marrur tjetër trajtë, por mbase ky është moment ideal për ta kuptuar se termi “ç’kapje” e ngërthen në vete pamundësinë për ta eliminuar vetën. Ai term tashmë është veç vegël në dorën e kapësve tjerë. Kjo po konfirmohet brutalisht në situatën e fundit të krijuar ne rastin Osmani – Daka. Por as nuk fillon as nuk mbaron me ato si shembull.
Situata e re kërkon shpikje edhe në nivelin linguistik, sepse rendet totalitare kolonizojnë gjuhën, aty ku banon mendimi.