Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar kundër ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishajt, pas raportimeve të mediave sllovene të këtij të fundit për ndarjen e 600 mijë eurove kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob.
Molliqaj, me anë të një postimi në llogarinë zyrtare të tij në ‘Facebook’, e ka akuzuar Berishajn për bashkëpunim me, siç e quan ai, mafian serbe, teksa ka potencuar se ambasadori është mik i hershëm i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
“Pjesë e gardës së parë në frymën e instalimit të VV-së në institucione, anëtar në Këshillin Drejtues të VV-së (nga 2016), ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i famshëm si mik politik dhe personal me Kryeministrin dhe Kryeparlamentarin, doli të jetë i përfshirë me mafian serbe të energjetikës në formacione për shpërlarje parash”, ka deklaruar ai.