Molliqaj sqarohet: Nuk e kam krahasuar Qeverinë Kurti me regjimin e Millosheviqit

Prishtinë | 11 Nën 2022 | 22:14 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka sqaruar nëpërmes një postimi në Facebookun e tij se nuk ka tërhequr paralele midis Qeverisë së Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit, sikur është interpretuar një deklaratë e tij për medie.

“Ndjehem i detyruar të sqarohem për ata që nuk kanë arritur ta shohin emisionin tim në Pressing T7, dhe kanë marrë copëza të shkëputura”, ka shkruar Molliqaj.

Postimi i plotë:

Të dashur miq,

Sigurisht se nuk ka paralele midis asnjërës Qeveri të Kosovës dhe regjimit të Millosheviqit.

Në atë kohe ne kemi jetuar nën segregacion, kurse serbët në Kosovë kanë të drejta të patjetërsueshme, madje përtej demografisë.

Ndjehem i detyruar të sqarohem për ata që nuk kanë arritur ta shohin emisionin tim në Pressing T7, dhe kanë marrë copëza të shkëputura.

Në emision e kam tërhequr vërejtjen rreth desubjektivizimit, pra depolitizimit të serbëve në diskursin publik të kryeministrit. Kur flitet për serbët e manipuluar ose për disa serbë të manipuluar, sikur harrohet që shumica dërmuese e serbëve kanë votuar dhe po e përcjellin Listën Serbe. Kur themi kështu, jemi shumë afër kërkesës për “serbin e ndershëm”, siç kërkohej dikur “shqiptari i ndershëm.

Ja një shembull: kryeministri Kurti i quajti ekstremistë 9 mijë veta që nuk i kanë ndërruar ende targat. Sigurisht se nuk pajtohemi me këtë veprim të tyre. Veçse a mund të mjaftojë targa për t’i thënë dikujt ekstremist. Si do ta bësh dialogun që e pate premtuar me ta pas këtij cilësimi? Me ekstremistin nuk flitet, ai izolohet, mbyllet.

Kaq kam thënë, gjithçka tjetër është mveshje.

Të ngjashme