Krijimi i ri i Ermal Mamaqi, filmi “ I love Tropoja”, ku përmes skenave komike dhe personazheve përcjell te publiku familjen tipike tropojane. Jeta e një djalë të ri, që ndryshon kur bëhet pjesë e kësaj familjeje.
Protagonisti kryesor i filmit, Ermal Mamaqi, ndau me ne momentin më emocionues dhe më të sikletshëm që ka përjetuar gjatë xhirimeve.
“Situata e sikletshme ishte puthja në buzë me Brunon, babain e nuses për t’i vërtetuar se ai është gay. Momenti më i bukur ishte kur djali im, Joel, thotë titullin e filmit”, tregon Ermali për “News24”.
“ I love Tropoja” ngriti polemika të shumta në media e kryesisht në rrjetet sociale. Mënyra si është trajtuar ky film është komentuar gjatë nga njerëz të thjeshtë, por edhe profesionistë në fushën e kinematografisë.
“Produksione të tilla, që më shumë sesa mbi një skenar, sajohen mbi ndodhi të sajuara, zbukuruar rëndom me doza humori, që nuk përkojnë me komedinë e vërtetë, nuk mund të quhen filma, e aq më pak artistikë. Filmi, për t’u quajtur i tillë, duhet të plotësojë të gjitha komponentët, që nga skenari, regjisori, montazhi etj”, tha regjisori Alfred Trebicka.
Reagim ka ardhur nga ish-deputeti demokrat tropojan, Azgan Haklaj, president i unionit artistik shqiptar.
“Tropojanët të hapën shtëpinë dhe zemrën, ti u cenove nderin Mamaq. Mamaqi as mamaqët, as ata që i kanë nxitur, tutori apo producenti politikë i mamaqëve, e ata që kanë bashkëpunuar me të nuk mund të fyejnë e turpërojnë Tropojën e tropojanët. Tropoja është djepi i qytetrimit. Ti e shpërdorove mikëpritjen dhe u preke nderin”, shprehej ish-deputeti.
LEXO DHE : Martesë në pranverë/ Reagon Armina Mevlani: Sigurisht që do të ketë dasmë
Mesazhi që përcjell filmi, sallat madje edhe biletat e shitura, kanë marrë gjithashtu komente, duke i konsideruar gënjeshtër shifrat e publikuara. Por për protagonistin kryesor të filmit rëndësi kanë emocionet që përcjell.
“Është thjesht një komedi. Ky film nuk ka të bëjë me gënjeshtrat që kanë dalë lart e poshtë, përkundrazi ka zbritur Tropoja në Tiranë, ju premtoj që do kaloni dy orë fantastike. Emocioni që më falin duartrokitjet e tyre nuk ka të paguar. Gjithmonë produktet marrin komente negative, sepse kështu kanë zgjedhur ta shikojnë botën, por kjo nuk do e ndalojë popullin nga të qeshurat. Mijëra vetë më kanë uruar, Pirro Mikani, Rbert Ndrenika, Vera Grabocka”, thotë Mamaqi.
Me sy kritik është parë dhe zgjedhja e regjisorit Mamaqi, që sjell në film kryeministrin Edi Rama, në rolin e dajës. Por, pavarësisht kësaj për “News24”, Ermali mbron zgjedhjen e tij si ‘Guest Star’.
“Rama ishte një zgjedhje e mirë, sepse të gjithë flasin për të”’, shton aktori.
Në rolin kryesor bashkëprotagonist me Ermalin, interpreton Arjola Demiri, në role të tjerë Marjana Kondi, Julian Deda, Dujar asqeriu, Bruno Shllaku, këngëtarja Enca Haxhia, dhe kryeministri Edi Rama. (BW)