Vesel Gashi që plagosi aksidentalisht një person me armën që ia kishte marrë babait, pranoi fajësinë në gjykatë. Gashi, i akuzuari për lëndim të rëndë trupor të Nazmi Tërnavës dhe për armëmbajtje pa leje, e pranoi fajësinë për këto dy vepra penale.
Gashi tha se pranimin e fajësisë e bëri pas konsultimit të mjaftueshëm më avokatin e tij, edhe pse deklaroi se i kupton natyrën dhe pasojat e këtij pranimi.
I dëmtuari Tërnava tha se nuk i bashkohet ndjekjes penale ndaj Gashit, ndërsa kur u pyet për kërkesën pasurore juridike, tha se ende po trajtohet për shkak të lëndimeve.
Gashi ngarkohet se më 17 shkurt 2016 rreth orës 10:45 në mishtoren “Daja” që gjendet në Fushë-Kosovë nga pakujdesia me mjet të rrezikshëm i ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor tani të dëmtuarit, Nazmi Tërnava.
Sipas aktakuzës, Gashi ia kishte marrë revolen babit të tij, ndërsa derisa këtë armë po ua tregonte dy shokëve të tij, kishte shkrepur një predhë prej saj.
Predha e shkrepur rastësisht pastaj kishte goditur Nazmi Tërnavën.
“Plumbi i kishte shkaktuar plagë tejshkuese nga shpina nëpër bark dhe kishte përfunduar nën brrylin e dorës së majtë të tani të dëmtuarit Tërnava”, thuhet në aktakuzë.
Të akuzuarit Gashi do t’i konfiskohet revolja, pavarësisht se babai i tij kishte leje për të.