Në kuadër të Panairit të Produkteve Bujqësore, Agroindustriale dhe Tregtisë Inverse “Prishtina 2018’’, organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka vazhduar edhe sot promovimi i prodhimeve vendore.
Industria e ushqimit “Amo” edhe këtë vit është pjesë e këtij panairi, i cili vjen pikërisht në kohë kur Qeveria e Kosovës ka vendosur një taksë prej 100 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia.
Bujar Morina, pronar i “Amo”-s, tha për Ekonomia Online se ata si prodhues e mirëpresin vendimin e qeverisë. Por, thotë se ky vendim nuk mund të ketë efekt të menjëhershëm.
“Gama e produkteve tona për fat të mirë në Serbi nuk prodhohet, por në shtete të tjera. Ky vendim është i mirëseardhur efektet e saj nuk mund të dihet tani pasi që është një afat shumë i shkurtër”.
Ai tha se pret që ky panair t’i ketë efektet e saj, por numri i vizitorëve nuk është ai që e kanë pritur.
“Qytetarë shihet që ka disa, por pak problem largësia nga qyteti. Nuk është numri i vizitorëve ai që kemi pritur”.
“Sa i përket produkteve vendore jemi në treg qe sa vite, kemi disa risi të produkteve të reja, ne e mbulojmë tregun 70%. Secili blerës është i njoftuar për cilësinë e produkteve tona”, tha Morina.