Rafuna: Mosshpenzimi i buxhetit të planifikuar për investime kapitale ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit

Prishtinë | 15 Dhj 2024 | 09:30 | Nga Gzim Mujaj

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se mosshpenzimi i buxhetit të planifikuar për investime kapitale nga ana e qeverisë së Kosovës ka ndikuar negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit, raporton Ekonomia Online.

Ai shtoi se për vite me radhë investimet kapitale të planifikuara nuk janë realizuar plotësisht, duke ndikuar “për të keq mos implementimi i tyre”.

Sipas të dhënave të Institutit Riinvest, nga viti 2019 deri në vitin 2023, rreth 1.3 miliard euro të planifikuara për investime kapitale nuk u shpenzuan.

Rafuna ka shtuar se situatën e kanë rënduar edhe masat nga Bashkimi Evropian, e cila ka pezulluar mbi 300 milionë euro projekte të parapara për investime kapitale, duke ndikuar në mirëqenie e qytetarëve të Kosovës.

“Sa i përket mos shpenzimit, ka ndikim shumë të madh sepse dihet që rritja ekonomike vjen nga investimet publike dhe investimeve private. Në këtë rast investimet publike janë pikërisht këto që vijnë nga mjete e parapara për investime kapitale, ose siç quhen shpenzimet kapitale. Ne ndër vite e kemi parë që nuk po shpenzohen ato që janë të planifikuar, se le me që të ketë më shumë mbi ato që janë të planifikuara dhe pa dyshim që kanë ndikuar për të keq mos implementimi i tyre. Shtoja këtu edhe masat shtrënguese që i kishim, ose masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian që na lënë pezull mbi 300 milion projekte që edhe ato kanë qenë të parapara për investime kapitale. Dhe gjitha këto e kanë pasur ndikimin e vetë në rritjen e bruto produktit vendor dhe në një mirëqenie për qytetarët e Kosovës”, ka thënë ai për EO.

Rafuna bëri thirrje për më shumë efikasitet nga institucionet shtetërore, duke theksuar rëndësinë e fillimit të hershëm të procedurave për nënshkrimin e kontratave dhe zbatimin e projekteve të parashikuara në Ligjin e Buxhetit.

Ai po ashtu theksoi nevojën për rritjen e borxhit publik, duke e konsideruar atë një zgjidhje të nevojshme për të përmirësuar situatën e investimeve.

“Kërkesa jonë gjithmonë ka qenë që institucionet të jenë efikase në kuptimin e hapjes së procedurave ashtu siç i parasheh ligji menjëherë pas aprovimit të Ligjit të Buxhetit në mënyrë që të kapet hapi dhe të nënshkruhen kontrata dhe të fillohet implementim i projekteve që janë të paraparë në Ligjin e buxhetit. Po ashtu kërkesa jonë ka qenë që të shihet mundësia dhe rritja e borxhit publik, për arsye se Kosova ka nevojë shumë, është duke vuajtur për investime dhe nuk e ka komoditetin që ta ketë borxhin publik aq të ulët. Kërkesa jonë ka qenë që të shihet mundësia përveç këtyre që janë të parapara për shpenzime kapitale në buxhet të ketë mundësi që të rritet ajo shumë duke marrë edhe borxh publik”, ka thënë ai.

Të ngjashme