“Mos gënjej”, përplasje mes deputeteve në Komisionin për Shendetesi

Prishtinë | 20 Tet 2026 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetari i komisionit për Shëndetësi nga Lëvizja Vetëvendosje, Sylejman Meholli iu drejtua koleges së tij, deputetes së LDK-së, Albena Reshitaj duke e akuzuar se nuk ka votuar pro plotësim ndryshimit të Ligjit për ndarje buxhetore, raporton Ekonomia Online.

“Zonja Reshitaj, unë e kuptoj këtë eufori, të them, emocionale për të më treguar si opozitare. Mirëpo, kjo nuk është e sinqertë. Në pikën paraprake, meqenëse po ngrihen dilema se kur ka shkuar buxheti, në pikën paraprake ne e patëm në diskutim dhe miratuam, me shumicë votash, një buxhet prej 102 milionë euro, që shkon saktë në adresë, e keni në dokumente, dhe nëse brenga jote është e sinqertë, atëherë do të kishit votuar për, por ju abstenuat”, tha Meholli.

Ndërkaq deputetja e LDK-së, Albena Reshitaj iu kundërpërgjigj Mehollit duke i thënë se nuk abstenoi, por votoi pro, teksa e ka akuzuar deputetin nga Vushtrria se po gënjen.

“Unë nuk abstenova asnjëherë. S’është mirë te gënjesh. Nuk bën të gënjesh. I ke kamerat këqyri, nuk është mirë me gënjyer. Pra ne juve, shihni juve që e keni me të vërtetë shëndetësinë, kur ja për çfarë gjëra gënjeni. Nuk bëhet kështu, nuk është në rregull. Unë jam shumë e vetëdijshme kur votoj, edhe çka votoj, edhe pse votoj, edhe qytetarët e dinë. Jo, po nuk është mirë me gënjy, a po e kupton? Nuk është mirë”, theksoi Reshitaj.

Kryetari i komisionit, Uran Ismaili gjithashtu shprehu se raportimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia të bëhet në nëntor, mirëpo shtoi se kjo bëhet me votim.

“Nënkryetar e respektoj mendimin, nuk pajtohem fare, nuk ka asnjë arsye pse nuk mundesh me i bë dy procese paralele, kur e din që koha e atyre dy paraleleve kërkojnë procese të ndryshme, njëra me u ulë unë ti me punu nesër edhe me i shku ftesa, njëra kërkon shumë më shumë kohë se sa me u ulë unë e ti me punu nesër dhe me iu dërgu nga një email të gjithëve dhe me e bë një “zoom call” me të gjithë, me ju thënë mos lëvizni hiç prej shtëpiave, këtë mundemi ta bëjmë të mërkurën, të enjten dhe të premten, por nuk ka arsye sepse, ideja me u ftu në raportim unë nuk po besoj që është duke u diskutu këtu ideja, na jemi tu folë për kohën dhe unë po them, unë po e qes për nëntor, në qoftë se ju nuk jeni për nëntor ju e votoni kundër, në qoftë se ju jeni kundër idesë për raportim atëherë kjo ma ndërron situatën”, tha Ismaili.

Të ngjashme