Tallja me popullin se gjoja nga rritja ekonomike është rritur kërkesa për energji, e sipas kësaj medemek qenka e pamundshme me furnizuar popullin me rrymë… Është një tallje vërtetë e rëndë edhe fort e papërgjegjshme.
Fatkeqësisht, nëse në dy muajt e ardhshëm nuk do të ketë stabilitet me energji, atëherë humbjet e përgjithshme në ekonominë e Kosovës mund të arrijnë në qindra miliona, ose edhe në mbi një miliard €.
Me dhjetëra mijëra pajisje të teknologjisë do të dëmtohen, të cilat pajisje do të duhen të riparohen nga buxheti i familjeve. Kjo është një kosto e pa parashikuar edhe që dëmton ekonominë familjare. Është një humbje në ekonomi që në formë zingjirore do të ndikon në të gjitha fushat e saj.
Qasja kaq e papërgjegjshme e qeverisë ndaj krizës energjetike, do të duhej në këtë kohë t’i bënte ata shumë më të matur në deklarime e jo të tallen me ne edhe të na fyejnë inteligjencën. Kriza energjetike është e njëjta edhe për rajonin, por secila qeveri e rajonit kanë bërë planet e tyre me kohë, dhe asnjë nga vendet e rajonit nuk po përballen me reduktime të energjisë.
Të vish në pushtet duke shitur moral për keq-qeverisje, për korrupsion e hajni, e pastaj të kesh qasje neglizhente ndaj menaxhimit të një krize energjetike që sjell dëme deri në miliarda, tejkalon çdo formë të korrupsionit dhe çdo etikë e moral për qeverisje.
Të paktën mos u tallni me njerëzit. Terrin nuk e keni gjetur kur keni ardhur në qeveri. Terrin e sollët ju!
Ndërsa sa i përket buxhetit të shtetit, e keni marr shtetin në dorë me buxhetin më të lartë në historinë e shtetit. Sikur ta merrnit me më pak buxhet sesa një vit më herët, do të kishit ndoshta ndonjë arsye me shitë përralla.
Fyrja e popullit me deklarata banale për rritje ekonomike e në anën tjetër terr, është vërtetë gërrditëse!
Kërkoni falje, është më fisnike!