Qeveria e Kosovë nuk i ka ekzekutuar pagat për punëtorët komunalë dhe mësimdhënësit të cilët janë në grevë.
Ministri i Financave, punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në mbledhjen e Qeverisë tha se pagat e muajit shtator janë ekzekutuar për të gjithë ata që kanë punuar me orar të plotë.
“Mbështetje prej 50 eurove për të gjithë punonjësit e sektorit publik që kanë punuar me orar të plotë gjatë muajit dhe që marrin pagën baze deri në një mijë euro dhe që kualifikohen për përfitim nga muaji shtator e deri në fund të vitit. Meqenëse vendimi po merret tani dhe pagat janë procesuar, shtesat e muajit shtator do të aplikohet bashkë me shtesën e muajit tetor”, tha Murati gjatë mbledhjes.
Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi tha se do të presin deri më 5 tetor që të ekzekutohen pagat.
Ai tha më tej se nga komunat nuk ka marrë ndonjë informacion për ekzekutimin e pagave të shtatorit apo jo.
“Nuk kemi ende informacion, Qeveria afatin e ka deri më 5 tetor që të i ekzekutojë pagat e shtatorit. Do të shohim javën e ardhshme pasi që tashmë është vikend”, tha Ibrahimi për Demokracia.com.
Edhe muajin e kaluar pagat për grevistët janë ekzekutuar më vonë. Kjo pasi që Qeveria e Kosovës ka kërkuar listat e punëtorëve të cilët janë në grevë.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, tha se sindikalistët që janë në grevë nuk mund të paguhen “për punën që nuk e bëjnë”.
Kujtojmë se BSPK është në grevë që nga 25 gushti.