Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndërprerë programin “Stand By” me Kosovën për shkak se Qeveria nuk i ka përfillur vërejtjet lidhur me amendamentin e Ligjit dhe kategorizimin e veteranëve të luftës së UÇK-së.
Për pasojë, Kosova nuk do të mundë t’i marrë rreth 16 milionë euro, meqë programi përfundon më 4 gusht dhe në mungesë të rishikimit të katërt këto mjete nuk mund të arkëtohen. Kosova po ashtu ka humbur edhe rreth 25 milionë euro të Bashkimit Evropian, që ndërlidhen me vlerësimet e FMN-së, shkruan sot “Koha Ditore”.
Rishikimi i katërt nuk ka ndodhur për shkak të situatës politike ku Kosova organizoi zgjedhjet jashtë afatit të rregullt kushtetues. Burime të gazetës kanë thënë se kjo çështje është diskutuar edhe në takimin që drejtues të FMN-së kanë zhvilluar të mërkurën me përfaqësues të BE-së dhe ambasadave të huaja në Prishtinë. Megjithatë, merret vesh se FMN-ja ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me qeverinë e ardhshme, kurdo që ajo të formohet