Moskompletimi i Bordit ndikon në zgjatjen e afatit të marrjes së vendimeve të OShP-së

Prishtinë | 14 Jan 2020 | 07:30 | Nga Ekonomia Online

Janë bërë më shumë se dy vjet e gjysmë që kur Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) funksionon me vetëm tre, nga pesë anëtarë sa duhet të ketë. Sipas Ligjit të prokurimit publik, anëtarët e OSHP-së emërohen nga Kuvendi pas propozimit të Qeverisë, shkruan sot Koha Ditore.

Zyra për media e Kuvendit ka thënë se nuk kanë marrë propozime nga Qeveria, ndërkohë që nga Qeveria nuk kanë treguar se për çfarë arsyesh nuk kanë dërguar propozime në Kuvend për ta plotësuar këtë bord. Në OSHP kanë thënë se moskompletimi i Bordit është duke shkaktuar mbingarkesë në punën e tyre.

Sipas hulumtuesit në organizatën “Demokraci Plus”, Agon Hysaj, funksionimi i këtij organi me vetëm tre anëtarë ka zgjatur afatet e marrjes së vendimeve. Sipas Hysajt, në këto kushte është edhe vështirë të ketë cilësi në punën e tyre.

“Funksionimi me vetëm tre anëtarë e ka vështirësuar punën e OSHP-së. Prej korrikut 2017 është me tre anëtarë, ndërsa numri i ankesave është rritur nga 553 ankesa në vitin 2017 në rreth 1000 në vitin 2019. Është rritur koha mesatare për të marrë vendimin. Në vitin 2017 ishte 38 ditë, këtë vit është 44 ditë”, ka theksuar Hysaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme