Komisioni Evropian pret nga Sllovenia dhe Kroacia të zbatojnë në tërësi vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit. Gjykata në Hagë ka vendosur që problemet rreth kufirit të zgjidhen sipas librave kadastrale.
Nënkryetari i parë i Komisionit Evropian, Frans Timermans është përfaqësuesi i parë i KE që paraqet publikisht qëndrimin për vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit, lidhur me mosmarrëveshjet mes Kroacisë dhe Sllovenisë për vijën kufitare.
“KE në këtë moment e pranon vendimin përfundimtar dhe pret që palët t’a zbatojnë këtë vendim”, tha Timermans. Past takimit të komisionerëve evropianë në Strasburg, ai tha se KE gjithmonë është angazhuar për zgjidhje paqësore të mosmarrëveshjeve mes vendeve anëtare të BE. BE ka ndërmjetësuar në konfliktin mes Kroacisë dhe Sllovenisë në kohën kur ka nisur procesi i arbitrazhit në vitin 2009.
„Ne përshëndesim vendimin e kryeministrave të Sllovenisë dhe Kroacisë që të takohen me 12 korrik. Komisioni Evropian shpreson se kryeministrat do të dakordohen për zbatimin sa më të mirë dhe më të shpejtë të vendimit të Gjykatës”. Në KE thonë se ata do të mbikqyrin procesin e zbatimit të vendimit.
Kryetari i Partive Popullore Evropiane, Manfred Weber thotë se Sllovenia dhe Kroacia duhet të vazhdojnë dialogun dhe të gjejnë rrugën më të mirë për zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës. Por ai sugjeron që BE të mos mbështetë asnjërën prej palëve. (DW)