Komuna e Vushtrrisë dhe Zyra e BE-së në Kosovë kishin nënshkruar me 25 gusht 2011 memorandumin e mirëkuptimit për ndërtimin e objektit të Komunës së Vushtrrisë, por, ndonëse kanë kaluar 5 vjet, projekti që ka koston 1.674.000 euro ende nuk ka përfunduar. Në vend të objektit të vjetër do të ndërtohet sheshi “Hasan Prishtina” dhe do të ngrihet shtatorja e tij, shkruan sot, gazeta Zeri.
Projekti për ndërtimin e objektit të ri të Komunës së Vushtrrisë ende nuk ka përfunduar, ndonëse kanë kaluar pesë vjet nga nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit në mes të Komunës së Vushtrrisë, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal. Memorandumi i mirëkuptimit në mes të këtyre tri subjekteve është nënshkruar me 25 gusht 2011.
Me kontratë, zyra Ndërlidhëse e BE-së në Kosovë kishte marrë përsipër të gjitha procedurat e prokurimit dhe dhënies së kontratës kontraktuesit të suksesshëm, si dhe caktimin e asistencës teknike, e cila në emër të tyre do të kryente projektimin e plotë të projektit dhe do të mbikëqyrte zbatimin e duhur të kontratës së punëve.
Në anën tjetër, komuna e Vushtrrisë ishte obliguar që t’i zgjidhë çështjet ligjore, si dhe problemet eventuale, po ashtu edhe zhvendosjen e Tregut të gjelbër, në mënyrë që ndërtimi të fillojë pa pengesa. Vlera e përgjithshme e projektit ka koston prej 1.674.000 euro, ndërsa me kontratë ka qenë dashur që objekti i ri i Komunës së Vushtrrisë të përfundojë 18 muaj.