Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka shqyrtuar projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.
Projektligji është votuar në parim, me amandamentet veç e veç, për të cilat pati mospajtime mes deputetëve, për të shkuar në seancë me rekomandim negativ të komisionit.
Deputetët kanë miratuar raportin me amendamente në Projekt-Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, shqyrtimi i Raportit me amendamente në Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka marrë votat e mjaftueshme dhe është miratuar.
Kryetarja e Komisionit, Albulena haxhiu, ka folur më shumë rreth këtij projektligji.
” Ka 17 amendamente. Janë Vetëm dy çështje për adresim. E para ka të bëjë me bartjen e personelit, amendamenti 27. Në të cilin janë edhe dy propozime. Njëri prej të cilëve ka të bëjë me ruajtjen e statusit të personelit edhe në kalimin në këshill prokurorial”, ka thënë Haxhiu.
Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, është shprehur pro këtij projektligji duke vlerësuar se është i rregulluar mire.
Ndërkaq, deputeti i PSD-së , Frashër Krasniqi, tha se ka mangësi në këtë projektligj dhe nuk kanë marrë informacione të nevojshme. Ai fajin ia ka hedhur edhe prokurorit që e ka përcjellë materialin në fjalë.
“Nuk kemi marrë informata se për sa mund të arrihet. Nëse nuk e kemi idenë se sa lëndë janë aty, nuk mund të vendosim. Është papërgjegjshmëri edhe e prokurorit që nuk na e ka përcjellë këtë material”, ka thënë Krasniqi, raporton Ekonomia Online.
Me katër vota pro, një kundër, një abstenim, u votua që lëndët të procedohen për gjashtë muaj.
Po ashtu, kaluan Raportet e Komisioneve Kryesore për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin për procedurën jo-kontestimore dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Trashëgiminë.
Ndërsa, u krijua grupi punues i cili do merret me shqyrtimin e Projektligjit për gjykimin në mungesë për krime luftës me kryesues Sami Kurteshi dhe anëtarë Frashër Krasniqi, Korab Sejdiu, Albulena Haxhiu, Bilall Sherifi.