Nga shtatori i vitit të kaluar është futur në zbatim Ligji për Rregullat e Komunikacionit, por numri i aksidenteve edhe me fatalitet nuk ka shënuar rënie, edhe pse në ligj parashihen gjoba të larta për shkelje të rregullave.
Vetëm në tre muajt e fundit kanë humbur jetën më shumë se 50 persona si shkak i aksidenteve në komunikacion.
Eris Hana nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) ka thënë për Ekonomia Online se mungesa e vetëdijesimit tek qytetarët për pasojat që ngasja e pakujdesshme e veturës mund të sjell, është vetëm një nga shumë arsye pse kohëve të fundit është rritur numri i aksidenteve në vend.
“Ndalja Gazin, Familja të Pret” është fushata e fundit që kjo organizatë ka lansuar në mënyrë që të rris vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës.
Hana thotë se qytetarëve të Kosovës iu nevojitet më shumë vetëdijesim për shkak se edhe përkundër faktit që janë rritur dënimet numri i aksidenteve në komunikacion nuk është zvogëluar, raporton EO.
“Arsyeja pse Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë ka filluar këtë fushatë virtuale është, sepse ne kemi menduar se qytetarëve të Kosovës i nevojitet më shumë vetëdijesimi sesa aspekti ligjor. Kjo për shkak se jemi dëshmitar se ligji është ndërruar, dënimet janë rrit, mirëpo fatkeqësisht rezultatet janë shumë më keq se sa vitin e kaluar. Në tre muajt e fundit kanë ndodhur më shumë se 50 humbje të jetës deri në korrik”, tha ai.
Sipas tij objektivë e kësaj fushate përveç vetëdijesimit të ngasësve është edhe vetëdijesimi i institucioneve lokale dhe qendrore.
Ai bën thirrje të gjithë institucioneve që të krijojnë raporte më të mira me shoqërinë civile në mënyrë që të krijojnë fushata më të fuqishme.
“Ne mendojmë që fushatat virtuale janë më të efektshme për shkak të rrjeteve sociale që janë në vend. Institucionet qendrore kanë Këshillin për Siguri në komunikacion dhe ky këshill duhet që të krijojë raporte më të mira me institucionet tjera qendrore dhe lokale komunat e të tjerë në mënyrë që të bashkëpunojnë me shoqërinë civile për krijimin e fushatave intensive për qytetarët e Kosovës”.
Në gjashtë muajt e parë të viti 2017 kanë ndodhur gjithsej 8 073 aksidente. Prej tyre 50 aksidente me fatalitet ku si pasojë kanë ndërruar jetë 53 persona që nëse e krahasojmë me vitin e kaluar është një rritje prej 6%.