Moszbardhja e vrasjes së ish-liderit serb, Oliver Ivanoviq, do të sjellë vrasje të reja, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ky është paralajmërimi që e kanë bërë drejtuesit e katër partive serbe në Kosovë, Iniciativa Qytetare – SPD, SLS-ja, Partia Demokratike Progresiste, si dhe Partia e Serbëve të Kosovës.
Një ditë para njëvjetorit të vrasjes së Ivanoviqit, përmes një konference për media, drejtuesit e këtyre partive kanë thënë se nuk ndihen të sigurt, as ata dhe as familjarët e bashkëpartiakët e tyre. Një prej arsyeve, sipas tyre, është fakti që po trajtohen si “tradhtarë” nga pjesa tjetër e serbëve në Kosovë dhe Serbi.
Kryetarja e SDP-së (ish-partisë së Ivanoviqit), Ksenia Bozhoviq, ka thënë se më 16 janar bëhet një vit nga vrasja e Ivanoviqit dhe ende nuk kanë përgjigje se kush e ka porositur dhe kush e ka vrarë atë.