Gjërat që mund të printoni janë emri, ndonjë dokument dhe së fundmi një motoçikletë.
Kompania gjermane “BigRep” deklaron se motoçikleta e saj elektrike NERA është motoçikleta e parë me dy rrota e prodhuar krejtësisht me një printer 3D, me përjashtim të pjesëve elektrike.
Nga timoni tek ndenjëset madje edhe gomat me disqet, të 15 pjesët e NERA-s u printuan duke përdorur printerin 3D të shkallës së madhe të kompanisë “BigRep”.
Elementi më interesant i këtij motori janë gomat speciale pa ajër.
Ky model tregon efektin potencialisht revolucionar që mund të ketë printimi 3D në prodhimin e automjeteve në vitet në vijim.
“Kjo motoçikletë dhe prototipet tona të tjera do të shtyjnë limitet e krijimtarisë inxhinierike dhe do të ndryshojnë perceptimin në teknologjinë e printimit 3D”, tha Daniel Buening, bashkëthemelues dhe Drejtor i Menaxhimit të dizajnerëve të NERA-s, “NOWlab”.
Megjithatë, duke marrë parasysh sasinë e kohës që i duhet një printeri 3D për të prodhuar këtë motoçikletë elektrike, me shumë mundësi nuk do e shohim motoçikletën NERA që të hyjë në prodhim në të ardhmen e afërt.