Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, ka kritikuar orarin e ngarkuar në Premier League gjatë periudhës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, që nënkupton se skuadra e tij duhet të udhëtojë për përballje me Norwich Cityn vetëm dy ditë, pasi që e mposhti të enjten me 2:1 Brighton & Hove Albion.
Tottenhami ndaj Brightonit ishte pa sulmuesin jugkorean Son Heung-min, që ishte i suspenduar dhe ai do të mungojë edhe ndaj Norwichit, e pos tij edhe Moussa Sissoko dhe Harry Winks, që kanë marrë kartonët e pestë të verdhë në stinorin në ndeshjen ndaj Brightonit, transmeton Koha Ditore shkrimin e Reuters.
Tottenhami më pas do ta vizitojë Southamptonin më 1 janar për ndeshjen e katërt në Premier League në 11 ditë.
“Është një krim që do të duhet të luajmë sërish më 28 dhjetor, është kundër çdo rregulli të fiziologjisë dhe biologjisë”, ka thënë Mourinho në konferencën për media pas fitores së skuadrës së tij ndaj Brightonit, falë golave në pjesën e dytë të Harry Kanet e Dele Allit. “Është kundër çdo rregulli, por kështu është dhe tash kemi tre lojtarë të suspenduar, është plotësisht jo fer”.
Portugezi nuk është kritikuesi i vetëm i orarit të ngjeshur në Premier League. Trajneri i Liverpoolit, Juergen Klopp ka thënë se nuk ka arsye pse skuadrat duhet të kenë vetëm dy ditë për të pushuar mes ndeshjeve.