Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me ICITAP-in mbajtën trajnim pesë ditor për udhëheqësit e lartë të MPB-së dhe agjencive të saj, ku u certifikuan gjithsej 27 zyrtarë.
Objektiv i përgjithshëm i këtij trajnimi ishte ofrimi i shkathtësive dhe koncepteve që mund të zbatohen nga zyrtarët në punën e tyre të përditshme, si dhe ngritjen e mëtutjeshme të aftësive menaxheriale duke zhvilluar procese të qëndrueshme të cilat sigurojnë institucione transparente, funksionale dhe të përgjegjshme të bazuara në sundimin e ligjit.
Në një fjalim rasti, ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa falënderoi miqtë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për punën dhe përkushtimin e tyre ndaj MPB-së.
Ai tha se ky program i cili u mbajt këto pesë ditë, ka sjellë vlera të reja dhe ka ndihmuar që të ri-freskohen njohuritë e deritanishme.
“ICITAP na ndihmon në shumë rrafshe dhe lirisht mund të them që është partneri kryesor i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përtej ndihmës në pajisje sikurse ato për forenzike, si dhe ato logjistike, programe si ky na sjellin përvojën e duhur dhe praktikat nga shteti më i avancuar i botës”, tha Mustafa.
Instruktor në këtë trajnim ishte Cameron Fisher, ligjërues nga Qendra për Siguri Publike e Universiteti Northwestern të ShBA-ve.