Në përgjigjet e dërguara për Kallxo.com zyrtarë të MPB-së kanë thënë që përdorimi i fishekzjarrëve lejohet me ligjin për përdorimin civil të eksplozivëve dhe se kjo ministri i ka dhënë leje PCB-së për hedhjen e një ton fishekzjarresh.
“Në këtë rast, ministria ka dhënë lejen për përdorimin e fishekzjarreve në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, kompania posedon pëlqimin e Bibliotekës dhe Komunës së Prishtinës për mbajtjen e evenimentit (këtu është përfshirë edhe koncerti dhe ndezja e fishekzjarreve)”, thuhet në përgjigjen e MPB-së dhënë BIRN.
Tutje thuhet se eveniment i njëjtë është mbajtur edhe viteve të kaluara, ku në vitin 2017 janë përborur 3000 kg fishekzjarre, ndërsa këtë vit është zvogëluar kjo sasi.
“..duke mare parasysh edhe çështjet e ambientit dhe të sigurisë, për këtë vit ministria e ka aprovuar lejen me sasi të kufizuar prej 1000 kg”, thuhet në përgjigje.
Më pas ministria thotë se kjo sasi prej 1000 kg bruto, llogaritet sasia e letrës, kartonit, gipsit dhe dheut që përbëjnë fishekzjarret, kurse sasi neto te barutit këtu mund te ketë rreth 60 kg.