Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komuna e Obiliqit nënshkruan sot Memorandum Bashkëpunimi. Memorandumi u nënshkrua nga ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi dhe kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi.
Qëllimi i memorandumit të bashkëpunimit është lejimi i shfrytëzimit të hapësirës së paraparë në ndërtesën e MPB-së/ARC-së, që është në territorin e komunës së Obiliqit, për Zyrat e Gjendjes Civile.
Në bazë të këtij memorandumi, krahas shërbimeve për aplikim për lëshimin e letërnjoftimeve, pasaportave, patentë shoferëve dhe regjistrimit të automjeteve, kjo hapësirë do të shfrytëzohet edhe nga Zyrat e Gjendjes Civile, të cilat e bëjnë regjistrimin e fakteve të lindjes martesës dhe vdekjes, si dhe lëshimin e dokumenteve tjera të gjendjes civile të përcaktuara me legjislacionin përkatës në fuqi.
Pas nënshkrimit, ministri i MPB-së, z. Bejtush Gashi dhe kryetari i Obiliqit, z. XhaferGashi, theksuan se ky memorandum po bëhet me qëllim të ofrimit sa më të mirë të shërbimeve për qytetarët të cilët do të kenë mundësi që brenda një objekti t’i nxjerrin dokumentet e gjendjes civile dhe të aplikojnë për dokumente personale.