MPB-ja fton edhe diasporën të legalizojnë armët, shtyn afatin për 3 muaj

Prishtinë | 25 Qer 2019 | 13:10 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Rritet interesimi për legalizim të armëve, MPB-ja pranon 1 428 kërkesa.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe UNDP-ja kanë njoftuar për vazhdimin e afatit për legalizim të armëve në Kosovë deri më 17 shtator 2019.

Koordinatori Nacional  i Strategjisë për Kontrollin e Armëve të Vogla të Lehta dhe të Eksplozivëve, zëvendësministri i MPB-së, Izmi Zeka, tha se qëllimi i këtij vendimi është që të inkurajohen të gjithë qytetarët dhe bashkatdhetarët që gjenden për pushime në Republikën e Kosovës për të shfrytëzuar mundësinë për legalizimin e armëve.

Zeka u shpreh se Kosova ka bërë progres në kontrollin e armëve, mirëpo ende mbetet sfidë kontrollimi i armëve. Ai tha se përdorimi i armëve të vogla dhe të lehta paraqet një kërcënim për qytetarët dhe jetën e tyre.

“Republika e Kosovës është në rrugën e saj drejt procesit të integrimit evropian dhe ne kemi nevojë që bashkërisht të jemi më aktiv në fushën e zvogëlimit të armëve të pa ligjshme në vendin tonë, t’i legalizojmë ato dhe të krijojmë një siguri cilësore për qytetarët tanë”, tha Zeka.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme bëri të ditur se në fushatën e parë për legalizim janë dorëzuar 1428 kërkesa për legalizim të armëve; janë lëshuar 862 leje dhe 7 kërkesa për deaktivizim.

“Ky është rezultat jashtëzakonisht i madh. Policia e Kosovës në baza vjetore konfiskon rreth 1300 armë, në 2016 ka konfiskuar 1292 armë, në 2017 ka konfiskuar 1211 armë, ndërsa në vitin 2018 ka konfiskuar 1473 armë apo 6176 konfiskime dhe legalizime”, tha Zeka, raporton Ekonomia Online.

“Kosova është bërë një shembull rajonal për krijimin e pikës së kontaktit për armë dhe numrit të legalizimit të armëve. Kjo ka bërë që të shkëmbehen këto praktika të mira vendore edhe me disa shtete të rajonit të cilat kanë realizuar vizita studimore në Kosovë”.

Ai tha se arsyeja e vazhdimit të afatit për legalizim ka qenë kërkesa e mërgimtarëve që t’u krijohet edhe një mundësi edhe për t’u pajisur me leje për armëmbajtje.

Projekti i legalizimit të armëve, është përkrahur nga UNDP-ja.

Përfaqësuesja, nga kjo organizatë, Maria Suokko, tha se do të vazhdojnë të mbështesin Kosovën në fushën e sigurisë dhe kontrollit të armëve, në mënyrë që të bien edhe raste e vrasjeve dhe krimeve të ndryshme si pasojë e përdorimit të armëve pa leje.

“UNDP-ja  është e nderuar që të jetë partnere për 10 vjet dhe të punojmë më ministrinë e Punëve të Brendshme, Policinë  e Kosovës dhe mekanizmat tjerë të sigurisë në vend, të ndërtojmë një ambient të sigurt për njerëzit në Kosovë. Ne do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim në fushën e sigurisë, kontrollit dhe legalizimit”, tha ajo.

Afrim Ahmeti, drejtor i departamentit për operacione, tregoi se cilat regjion kanë pasur aplikim më të madh.

Tha se nga Mitrovica e Veriu nuk kanë pasur asnjë aplikim.

“Në regjionin e Prishtinës kemi 296 aplikime, në  regjionin e Gjilanit kemi  223 aplikime, Ferizaj me 66 aplikime, Prizreni me 244, Gjakova 190, Peja 270, Mitrovica  e Jugut me 63 dhe në pjesën veriore nuk kemi pasur asnjë aplikim. 1218 kërkesa për legalizim të armëve prej tyre 6 janë pushkë automatike 395 janë pistoleta, pushkë gjuetie janë 369, pushkë ajrore 2  dhe karabina 165 dhe pushkë tjera 11”, tha ai. 

 Ai vlerëson se vendimi i ministrisë për të zgjatur fushatën për legalizim është i drejtë.

Të ngjashme