Në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të Procesit të Berlinit, përkundër insistimit të Serbisë, flamuri i Republikës së Kosovës qëndroi si “mirëseardhje” për ministrin e ri serb, i cili duhet të mësohet dhe adaptohet me simbolet e shtetit të Kosovës.
Në këtë takim virtual, Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, në fjalimin e saj, qysh në fillim ua bëri me dije homologëve se Serbia nuk mundet dhe nuk duhet lejuar që të sabotojë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore në rajon.
Duke falënderuar bashkëkryesuesit nga Bullgaria dhe Maqedonia Veriore për organizimin e Samitit të Sofjes, Ministrja Haradinaj-Stublla theksoi nevojën e diskutimit të sinqertë të sfidave reale që pengojnë rajonin në integrimin përmbajtësor drejt strukturave evropiane, dhe ato që pengojnë raportet dhe trajtimin simetrik të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Ministrja foli edhe për Gjykatën Speciale dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krimet e kryera në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe dhe ende të pandëshkuara nga Serbia, si dhe zhvillimet tjera me rëndësi për Kosovën dhe rajonin.
“Kosova nuk mund të sillet sikur nuk po ndodh asgjë me të dhe rreth saj”, tha shefja e diplomacisë kosovare, duke vënë theksin tek zhvillimet e fundit të Gjykatës Speciale. “Gjatë luftës së fundit, Kosova ka qenë viktima dhe Serbia agresori – dhe asnjë pretendim NUK mund ta ndryshojë këtë raport asimetrik, të njohur tanimë ndërkombëtarisht. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe lufta e drejtë e vetëmbrojtëse e popullit të Kosovës ishte e pastër, fisnike, dhe e drejtë – kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit, dhe do të vazhdojë fuqishëm të dëshmojë dhe vulosë përfundimisht pastërtinë e saj”.
Ministrja Haradinaj-Stublla, në këtë kontekst, kërkoi drejtësi ndërkombëtare për krimet ende të pandëshkuara të Serbisë në Kosovë. Ajo vuri paralele tek Serbia – e cila ende nuk ka kërkuar falje, ende nuk ka pranuar krimet, dhe ende nuk ka heqë dorë nga mosndëshkueshmëria – si politikë shtetërore – vazhdimësi e trashëgimisë kriminale të Millosheviqit.
Ministrja përmendi rastin skandaloz të kriminelit Rajko Kozllinës, i cili ka vazhduar të jetë anëtar ushtrisë serbe edhe pse i dënuar për krime lufte për masakrën e Tërnjës, dhe i cili ende vazhdon të mbrohet nga aparati shtetëror serb duke e lejuar t’i ikë vuajtjes së dënimit.
Duke folur për Procesin e Berlinit, Ministrja Haradinaj-Stublla tha se progresi nga implementimi i arritjeve – që mban vulën e Kancelares Merkel – është i rëndësishëm, porse Kosova nuk do të lejojë trajtim të pabarabartë brenda formatit të bashkëpunimit rajonal.
Mospranimi i realitetit politik e ligjor i Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, mospërmbushja e obligimeve të dala nga zotimet e mëhershme të Procesit të Berlinit nga Serbia, si dhe të atyre që ndërlidhen me marrëveshjet e Brukselit, e mbajnë peng bashkëpunimin e plotë rajonal.
Para se të synohet lëvizja e lirë e qytetarëve, mallërave, dhe kapitalit, Ministrja Haradinaj-Stublla tha se kërkohet që Serbia të zbatojë plotësisht dhe efektivisht marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, t’i njoh dokumentet e Kosovës, targat RKS, dhe të mundësojë lëvizjen e papenguar të qytetarëve të Kosovës përmes zbatimit të obligimeve për funksionalizim të 4 pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi, sipas marrëveshjes për IBM.
Duke përmendur edhe shkeljet që Serbia në vazhdimësi i bën duke keqpërdorur Interpolin për të lëshuar fletarreste ndërkombëtare me akuza të fabrikuara kunder shtetasve të Kosovës, Kryediplomatja Haradinaj-Stublla kërkoi nga bashkë-kryesuesit të respektohen dy Deklaratat e Përbashkëta të Samitit të Londrës 2018, mbi personat e pagjetur dhe krimet e luftës, dhe të përfshihen të plota në konkluzionet e Samitit të Sofjes.