Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm u lajmërua nga malet e Kosovës në veri. Petkoviq po qëndron dje dhe sot në Kosovë me një kërkesë për vizitë, të cilën Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ia kishte refuzuar.
MPJD në një përgjigjje për Gazetën Express ka thënë se Petkoviq më 4 janar kishte bërë kërkesë për këtë vizitë, ndërsa ajo i ishte refuzuar të nesërmën.
“Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovë në Serbi, Petar Petkoviq, ka bërë kërkesë për vizitë në Kosovë me datën 4 janar 2021.Një ditë më vonë, me datën 5 janar, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Meliza Haradinaj-Stublla, ka udhëzuar Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi që të refuzojë këtë vizitë”, thuhet në përgjigjjen e MPJD-së.
Ministria e drejtuar nga Meliza Haradinaj-Stublla ka dhënë tri arsye se pse e kishte parë të paarsyeshme vizitën e Petar Petkoviq.
“E para, ai ishte për vizitë në Kosovë pak javë më parë, në më pak se një muaj. E dyta, për shkak të deklaratave të tij, që s’ishin në linjë me parimet e fqinjësisë së mirë. E treta, kontrabanda me vaksina, që ka ngritur shumë dyshime për çka ende po vazhdojnë hetimet. Për arsyet e sipërthëna, vizita e tij është parë si e paarsyeshme dhe në këto rrethana Zyra jonë Ndërlidhëse në Beograd është udhëzuar që ta refuzojë kërkesën e tij për vizitë”, thuhet në përgjigjjen e ministrisë.
Tutje, në përgjigjje thuhet se vizitën e Petkoviqit në Kosovë e kanë lejuar “autoritetet mbi MPJD-në”, pa specifikuar se kush.
“Në ndërkohë autoritetet mbi MPJD-në kanë lejuar vizitën e tij në Kosovë për shkak të festave ortodokse, përkundër qëndrimit refuzues të Ministres Haradinaj-Stublla”, thuhet në përgjigjjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Pë vizitën e Petkoviqit, Express ka provuar dje të marrë një përgjigjje nga Qeveria, e cila ka udhëzuar që për këtë të kontaktohet ministria.
“Krejt shkojnë përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme”, tha zëdhënësja e Qeverisë, Antigona Baxhaku.
Petkoviq dje përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, i ka uruar serbët dhe ata që festojnë Krishtlindjen ortodokse, duke publikuar një fotografi të tij duke e mbajtur mbi sup një pemë të prerë.
Pasdite, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ua dorëzoi çelësat e 36 apartamenteve të reja në Mitrovicën e Veriut, qiramarrësve serbë në tri ndërtesa banimi, të cilat u ndërtuan nga Qeveria e Serbisë.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës dhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili i përgëzoi pronarët e rinj të apartamenteve, duke thënë se “të gjithë në Serbi janë një familje e madhe, pavarësisht se në cilën pjesë të vendit tonë jetojnë”.
“Nuk ka moment më të mirë apo më të lumtur sesa kur një burrë mund të festojë festën e Krishtlindjes më të lumtur me familjen e tij në shtëpinë e tij. Që nga sot, 36 familje do t’i festojnë të gjitha festat në shtëpitë e tyre”, tha Rakiq.