Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës i ka hedhur poshtë dhe i ka vlerësuar si tërësisht të pavërteta, të papërgjegjshme dhe të papranueshme deklaratat e institucioneve shtetërore të Serbisë në lidhje me pretendimet për, siç thotë MPJ, “kinse” ‘pengesat, të cilat Zyrtari Ndërlidhës i Serbisë i ka hasur gjatë kryerjes së obligimeve të tij’ në Republikën e Kosovës.
“Ministria e Punëve të Jashtme, sipas informacioneve të saj të siguruara nga institucionet përgjegjëse të linjës rikonfirmon se Zyrtari Ndërlidhës i Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës nuk ka pasur asnjë pengesë dhe vështirësi në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të tij, ashtu siç përcaktohen me Marrëveshjen e Brukselit”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.
MPJ thotë se vlerëson punën, rolin dhe angazhimin konstruktiv të Zyrtarëve Ndërlidhës, të cilët që nga emërimi i tyre kanë kontribuar në zhvillimin e një komunikimi të mirëfilltë në mes të Institucioneve të të dyja shteteve dhe në mbështetje të kësaj inkurajon zgjerimin e fushëveprimit të tyre.
“Sa i përket pretendimeve dhe akuzave të pabaza për mospërmbushje të detyrave, që rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit për Zyrat Ndërlidhëse, Ministria e Punëve të Jashtme thekson se Policia e Republikës së Kosovës do të jetë në kohën dhe vendin e caktuar nga Zyrtari Ndërlidhës i Republikës së Serbisë dhe do t’i përmbushë detyrat dhe obligimet e veta me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi të lartë, ashtu siç ka vepruar çdoherë deri më tash”, përfundon MPJ.