Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ditë më parë ka deklaruar se së shpejti 10 shtete të botës mund ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, ndërsa ish-drejtues të diplomacisë kosovare e fajësojnë po këtë dikaster qeveritar për tërheqje dhe mossjellje të njohjeve të reja për Kosovën, shkruan gazeta “Zëri”.
Ka një vit e gjysmë prejse Kosova nuk ka marrë njohje të re nga asnjë shtet i botës. Kosova është njohur nga 116 shtete, por disa prej tyre, më saktësisht 13 shtete kanë deklaruar se e kanë rishikuar vendimin për njohje dhe rrjedhimisht e kanë tërhequr atë. Çnjohjen e Kosovës nga këto shtete e ka pohuar këto ditë në medie edhe zëvendëskryeministri në detyrë Enver Hoxhaj, i cili madje ka paralajmëruar për mundësi për tërheqje të njohjeve të tjera të pavarësisë së Kosovës ditëve në vijim.
Hoxhaj është shprehur se ka informacione që afër 10 shtete do ta revokojnë njohjen e Kosovës.
Një gjë e tillë për Ministrinë e Punëve të Jashtme është e paqëndrueshme.
Zëvendësministrja në detyrë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Rejhane Vuniqi, ka thënë për “Zërin” se deklaratat e zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj janë të pabaza.
Ajo theksoi se Kosova nuk ka marrë kurrfarë paralajmërimi nga asnjë shtet për tërheqje të njohjeve. “Nuk kemi ndonjë paralajmërim të tillë si Ministri e Punëve të Jashtme. Nëse zëvendëskryeministri Hoxhaj ka ndonjë informatë është mirë ta ndajë me kabinetin qeveritar që është në detyrë dhe jo të dalë me deklarata të tilla, sepse nuk i bëjnë nder as atij e as shtetit të Kosovës. Mirëpo ne zyrtarisht nuk kemi asnjë paralajmërim të asnjë shteti për tërheqje të njohjeve”, ka deklaruar Vuniqi.
Ajo ka komentuar edhe deklaratën e presidentit çek, duke shtuar se qëndrimet e tij janë në mospërputhje me qëndrimin zyrtar të Çekisë karshi Kosovës. “Të gjithë e dimë qëndrimin e presidentit çek karshi Kosovës dhe normalisht që priten deklarata të tilla në vizitën, të cilën do ta ketë në Beograd. Mirëpo një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Çekisë, e cila kategorikisht e mohon këtë gjë. Pra, sa i përket qëndrimit të shtetit çek karshi Kosovës nuk do të ndryshojë asgjë”, ka shtuar Vuniqi.
Tutje Vuniqi si një ndër problemet me çnjohjet e përmendi edhe lobimin dhe propagandën agresive serbe.