Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje të thellë, e konsideron si absolutisht të papranueshme, shkelje me paramendim të Marrëveshjes për Përfaqësim të Kosovës në Nismat dhe Organizatat Rajonale dhe Lirinë e Lëvizjes së lirë si parim fundamental evropian veprimin e fundit të autoriteteve zyrtare të shtetit fqinj – Serbisë, për pengesat dhe moslejimin e pjesëmarrjes së delegacionit të Republikës së Kosovës në Konferencën: “Pavarësia Ekonomike e grave rome: sfidat dhe shkaqet e hershme”, që ishte paraparë të mbahej nga data 31 Tetor deri më datën 1 Nëntor në kryeqytetin e shtetit fqinj – Beograd.
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës kishte ndërmarrë me kohë të gjitha hapat dhe veprimet dhe kishte njoftuar autoritetet përgjegjëse të shtetit fqinj në lidhje me vizitën dhe përbërjen e delegacionit të Republikës së Kosovës në këtë ngjarje, por vetëm disa orë para mbajtjes së aktivitetit është njoftuar nga Qeveria e Serbisë se “delegacioni nga Kosova në asnjë mënyrë nuk mund të marrë pjesë në konferencë”.
Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se këto veprime nga fqinji verior, veç të tjerash i kanë pamundësuar Republikës së Kosovës përcjelljen e trendëve rajonale dhe qasjes ndaj pozitës së komunitetit rom në rajon dhe janë në kundërshtim të plotë me përkushtimin deklarativ për bashkëpunim rajonal, frymën dhe vlerat evropiane dhe zotimin e shprehur për normalizim të plotë të marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.
Kjo konferencë ishte organizuar nga Këshilli për Bashkëpunim Rajonal -RCC, Zëvendës-Kryeministrja e Serbisë, Zorana Mihajloviq, Trupi Koordinues për Monitorimin e Implementimit të Strategjisë për Përfshirjen Sociale të Romëve në Republikën e Serbisë dhe CARE International.